Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë qenë në vëmendje të opinionit publik. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin” i ka të përcaktuara qartë të gjitha kriteret që duhet të plotësojë drejtori i Byrosë Kombëtare të hetimit. Kandidati për të qenë në krye të BKH duhet të jetë me shtetësi shqiptare dhe me integritet të lartë profesional dhe moral. Për të marrë drejtimin e BKH, kandidati duhet të ketë një eksperiencë 5-vjeçare si prokuror apo polic gjyqësor. Po ashtu, kandidati për drejtor të BKH nuk duhet të ketë qenë asnjë herë i dënuar për ndonjë vepër penale, si dhe nuk duhet të ketë mbajtur poste politike. “Kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të jetë personi që ka vetëm shtetësi shqiptare, që gëzon cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotëson këto kritere: ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor; ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit; ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda; nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit”, thuhet në ligj. Një tjetër kriter që duhet të plotësojë kandidati për drejtor i BKH është masa disiplinore. Kandidati nuk duhet të ketë marrë asnjë masë disiplinore gjatë periudhës që ka ushtruar profesionin e prokurorit. “Ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi; ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit; të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent”, thuhet në ligj.