Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj klientit të tij si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin.
Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar dhe duke ia atribuar, sipas tij, përgjegjësinë Thaçit.
“Kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare dhe fundi i tribunaleve”, tha Prosper pas shpalljes së aktgjykimit.
Ai tha se ka biseduar me Thaçin dhe se do ta takojë sërish.
“Thaçi është i gatshëm të vazhdojë të luftojë për veten dhe për popullin e Kosovës”, tha Prosper.
Sipas tij, shpresa e mbrojtjes është që aktgjykimi të rrëzohet në apel, ndonëse paralajmëroi se procesi mund të zgjasë me vite.
Avokati tregoi edhe reagimin e tij emocional gjatë momentit të shpalljes së vendimit, duke thënë se “goditi kokën me grushte kur gjykatësi shqiptoi fjalët “Në emër të popullit të Kosovës””.
Prosper bëri thirrje, gjithashtu, që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë raportin me Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kosova duhet të marrë “një vendim sovran që është në interesin më të mirë të vendit”.
“Nëse do të isha deputet, që nga nesër do ta tërhiqja mbështetjen për këtë gjykatë”, tha Prosper. Apelimin e aktgjykimit e paralajmëruan edhe avokatët e të dënuarve të tjerë.






































