Çështja e kredive të këqija të “Veneto Banka” të cilat kaluan në faliment në Itali pa analizë dhe procedura ligjore, ka sjellë edhe përplasjet e para. Është Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gentian Deva që i rikujton Bankës së Shqipërisë rishikimin e raportit të “Tranzit shpk” me “SGA spa” për aktivitetin e mbledhjes së kredive të këqija. Kjo sipas Ministrisë së Drejtësisë është sanksionuar me Ligjin e ri Nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë i kundërpërgjigjet Ministrisë së Drejtësisë duke i dalë në mbrojtje “Tranzit shpk”, ku sipas saj “kontrata është nënshkruar para se të bëheshin ndryshimet në ligjin për përmbarimin”. Kështu pra, bëhet akoma më i kuptueshëm edhe nxitimi i Gent Sejkos për të firmosur një marrëveshje bashkëpunimi trepalëshe mes “SGA spa”, “Tranzit’ dhe Bankës së Shqipërisë. Duke pasur dijeni për miratimin e këtij ligji, Gent Sejko ndërmori një lëvizje të papritur duke çertifikuar kështu një proces të dyshimtë.
Mbetet për t’u parë roli i Ministrisë së Drejtësisë e cila kërkon zbatimin me rigorozitet të legjislacionit shqiptar për përmbaruesit, si një detyrim ligjor për t’u zbatuar. Pra Gent Sejko duke certifikuar një proces të paligjshëm ku një Shoqëri Italiane Mbledhje Borxhesh kërkon t’i paguhen paratë e kredive të këqija në Shqipëri për një borxh në Itali sipas legjislacionit italian.
Lëvizjet e Sejkos
Në shkresën qëi dërgon ministrisë, Sejko del në mbështetje të bankave, duke deklaruar se i takon asaj të klasifikojë kredi të keqe këdo që ka vonesa. Ndërkohë skandali me “Veneto Banka” është se dhe kreditë me 1 muaj vonesë kanë hyrë në listën e zezë. Ndërkohë që vetë BSH ka hartuar një rregullore për këtë proces. “Në çdo rast që banka gjykon se ka elementë të tjerë shtesë, pavarësisht ditë-vonesave, të cilët justifikojnë klasifikimin dhe provigjionimin në një klasë më të ulët se ajo e parashikuar në rregullore, mund ta realizojë këtë”, thuhet aty. Po ashtu më tej Sejko heq përgjegjësinë për kalimin e kapitaleve. Kreditë dhe kolateralet e klientëve kaluan në Itali. Por Sejko shprehet se nuk ka përgjegjësi në këtë mes. “Në vijim, përfitojmë nga rasti t’ju bëjmë me dije se transaksionet e kalimit (transferimi) i kredive nuk rregullohen nga Banka e Shqipërisë, por parashikohen në Kodin Civil. Në nenin 499 të Kodit Civil”, thuhet në shkresë. Më tej Sejko shprehet se bazuar në këto dispozita, transaksionet e kalimit të kredive konsiderohen si një aktivitet normal biznesi i bankave. Po ashtu ai justifikon veprimet e “SGA”.“Theksojmë se debitorët e Bankës Veneto sh.a., kredia e të cilëve i ka kaluar Shoqërisë SGA spa, vazhdojnë të jenë debitorë sipas detyrimeve të përcaktuara në kontratën përkatëse dhe detyrimi i tyre kryesor është shlyerja e kredisë”, thuhet aty.
Lëvizjet e BSH
Skandali nuk mbaron me kaq. Pranë gazetës janë me dhjetëra individë që ankohen se kanë kërkuar sqarime pranë BSH mbi kreditë e tyre dhe nuk kanë marrë asnjë sqarim. Por BSH shprehet: “Së fundi, ju sqarojmë se portofoli i kredive me probleme të transferuara pranë SGA S.p.a, nuk është fshirë nga Regjistri i Kredisë, por është raportuar në përputhje me formatin e miratuar nga Banka e Shqipërisë. Sipas Urdhrit nr.1233, datë 29.03.2016, “Për një shtesë në urdhërin “Për miratimin e “të dhënave dhe llojit të informacionit që raportohet në regjistrin e kredive në Bankën e Shqipërisë”, në momentin që një kredi shitet tek një tjetër institucion financiar, subjekti që e ka shitur e raporton të mbyllur me status 5 “kredi e paguar” dhe në të njëjtën kohë si “Kredi e shitur”. Pasqyrimi në këtë formë evidenton se mbyllja e detyrimeve të kësaj kredie nuk ka ardhur si rezultat i angazhimit të kredimarrësit për shlyerje të tyre, por ka ardhur si rezultat i një transaksioni shitjeje, e për këtë qëllim në të njejtën kohë kjo kredi klasifikohet dhe si “Kredi e shitur”. Në vijim, subjekti që e ka blerë, në cilësinë e “Kreditorit të ri” e raporton si ekspozim të tijin për vlerën e detyrimit që pretendohet nga kredimarrësi”, thuhet aty.
Kliti Topalli