Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion duket se do të sjellë zhvillime të forta në politikën shqiptare. KLP po pret vetingun për 5 emrat e fundit dhe më pas do hapet rruga e arrestimeve në nivele të larta. Por si do shkohet deri atje? Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin” i jep të drejtë SPAK për të vënë në rresht të gjitha institucionet shtetërore. Duke filluar nga policia, Drejtoria e Tatimeve, Doganave dhe Pastrimit të Parave dhe gjithë institucionet e tjera shtetërore janë të detyruara të japin llogari para SPAK. Në ligj theksohet se organet shtetërore kanë detyrim të japin informacion brenda 24 orëve, ku shtohet se aksesi i SPAK është në përputhje me legjislacionin në fuqi për klasifikimin e informacionit të sekretit shtetëror. “Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga institucionet shtetërore, që përmbajnë informacionin e duhur për hetimin e veprave penale të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Organet shtetërore kanë detyrim të japin informacion brenda 24 orëve ose, në qoftë se baza e të dhënave ekziston, t’i japin akses të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Posaçme. Ky akses vendoset në mënyrë të përhershme brenda një afati kohor të arsyeshëm, por jo më shumë se 6 muaj dhe vetëm në bazë të një kërkese me shkrim nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme drejtuar titullarit të institucionit shtetëror; Parashikimet e bëra në pikën 3 të këtij neni nuk zbatohen për sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave që janë të certifikuara si sekret shtetëror. Aksesi i Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në sistemet e informacionit apo bazat e të 12 dhënave duhet të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, thuhet në nenin 28 të ligjit.
Ja detyrimet për Policinë e Shtetit
Në ligj janë përcaktuar qartë edhe detyrimet që Policia e Shtetit duhet të ketë përpara SPAK. Çdo efektiv i policisë, i cili është në dijeni të një vepre penale që është kryer nga një zyrtare i lartë, duhet menjëherë të raportoj pranë SPAK. “Prokuroria e Posaçme, pas marrjes së njoftimit të përmendur në pikën 1, të këtij neni, nëse vlerëson se është kryer një vepër penale në kompetencë të saj, fillon menjëherë procedimin penal për hetimin e çështjes. Prokuroria e Posaçme njofton pa vonesë policinë dhe prokurorinë përkatëse që ka qenë duke proceduar penalisht rastin deri në atë moment, duke kërkuar prej tyre deklarimin e moskompetencës lëndore dhe marrjen e akteve procedurale të përpiluara gjatë hetimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale; Prokurori në Prokurorinë e Posaçme kur vlerëson se nuk ka të dhëna për veprën penale, për të cilën kjo prokurori është kompetente, ia raporton këtë fakt Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton ose i referon aktet zyrës përkatëse të prokurorisë që do të vazhdojë procedurën, si dhe njofton çdo strukturë tjetër”, thuhet në nenin 29 të ligjit.
Detyrimet e DPPPP
Por edhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave ka detyrimet e saj të parashikuara në ligj, për të dhënë llogari për të korruptuarit. Në nenin 30, theksohet se DPPPP duhet të japë llogari para SPAK nëse ka raste të dyshimta të pastrimit të parave nga ana e pushtetarëve. “Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, nëse ekziston dyshim për pastrimin e produkteve të veprës penale të referuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale: informon Prokurorinë e Posaçme për mjete financiare, të ardhura ose pasuri, për të cilat ka marrë dijeni në çfarëdo mënyre kur këto janë fituar përmes kryerjes së një vepre penale të parashikuar në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale; kërkon që subjektet e detyruara për zbatimin e masave kundër pastrimit të produkteve të veprës penale të japin të gjitha të dhënat lidhur me transaksionet e bëra nga personat e dyshuar dhe t’ia dërgojnë menjëherë këto të dhëna Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në nenin 30.
Elisjeda Kiko