Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të federatës, duke trajtuar jo vetëm zhvillimet në skuadër, por edhe përshtatjen e tij në ambientin shqiptar. Ai vuri në dukje se në Shqipëri ka gjetur një atmosferë positive dhe një AND fituese në çdo aspekt dhe për këtë kishte besim se edhe skuadra do të reflektonte këto cilësi fituese në fushën e lojës. Ai e nisi intervistën e tij duke rutinën itinerarin e ditës.
“Zgjohem herët, zakonisht rreth orës 7, ndoshta edhe më herët, por ky është orari i zakonshëm në të cilin zgjohem. Gjëja e parë që kërkoj është një hapësirë të jashtme, çfarëdo qoftë ajo. Ose hap një dritare, dal në tarracë apo në kopsht, por gjëja e parë që bëj është të dal në një ambient të hapur. Më pas shkoj në federatë. Nuk kam një orar të përcaktuar, por pasi ha mëngjesin, nisem, bëj shëtitjen time deri këtu, arrij dhe filloj përgatitjet për këto ndeshje”, tha ai. Më pas kujtoi se ai e bën këtë punë me pasion, se i pëlqen.
“Puna ime lind nga pasioni, ndaj është e qartë që, duke qenë një pasion, më pëlqen gjithçka. Gjithçka nisi që kur luaja futboll si fëmijë dhe përpiqesha të bëhesha futbollist. Pastaj ia dola dhe tani jam trajner; në këtë rast jam trajner i kombëtares. Kjo më mbush me krenari dhe, mbi të gjitha, bëj atë që më pëlqen. Nuk ka asgjë në punën time që nuk më pëlqen. Shqipëria? Në fakt, nuk do të thoja se më ka surprizuar, por ka qenë një konfirmim, një konfirmim i mëtejshëm. Më kishin folur për mikpritjen tuaj dhe ju e keni tejkaluar atë që më kishin thënë.
Duhet të jem i sinqertë: ndihem si në shtëpi, më keni bërë të ndihem si miku juaj prej gjithmonë. Për mua kjo është më shumë se një cilësi; është vërtet diçka befasuese. Ajo që kam vlerësuar shumë gjatë këtyre muajve është vendosmëria dhe forca me të cilën i bëni gjërat. Është një vlerë shumë e madhe. Dhe është diçka që dua t’ua transmetoj edhe lojtarëve kur të vijnë, sepse kjo është ADN-ja e futbollistit dhe e popullit shqiptar”, nënvizoi Maran.
Jeta e zakonshme në Tiranë
Trajneri foli për herë të parë për përshtatjen e tij në kryeqytetin shqiptar, me gjuhën, me ushqimin dhe me disa fjalë që i ka të vështira t’i shqiptojë. “Po studioj për t’u afruar gjithnjë e më shumë me ju. Dalëngadalë po përpiqem të kuptoj, sepse ka shumë gjëra të bukura, shumë aspekte, edhe në territorin tuaj, që më kanë ngjallur vërtet kureshtje. Ushqimi i preferuar? Tavë dheu. Po, nëse e kam shqiptuar mire. Madje është padyshim më e mirë sesa mënyra se si e shqiptova unë! Por më ka pëlqyer shumë. Fjala e preferuar?
Për nga tingëllimi, më pëlqen të them “avash-avash”. Jo për ndonjë arsye të veçantë, por sepse më pëlqen si tingëllon fjala. Fjala më e vështirë? Te ne (në Itali) është shumë e lehtë të përshëndesësh me një “Ciao”, ndërsa të përshëndesësh me “Përshëndetje” është pak më e komplikuar.
Prandaj preferoj ta them në italisht, sepse është vërtet e vështirë në shqip. Pastaj, versioni tjetër, “Çkemi?”, sipas meje është edhe më i vështirë, kështu që për të heq dorë fare”, theksoi Maran. Këtë intervistë ai e dha pak ditë para se të nxjerrë listën e të ftuarve për ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve.







































