Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të krijojë stafin mbështetës me qëllim që të përshpejtojë ritmet me punët dhe detyrat që ka. Përmes një shpalljeje në faqen zyrtare, KLP ka hapur garën për nëpunës civilë. Më saktë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për lëvizje paralele brenda të së njëjtës kategori në të gjitha institucionet që janë pjesë e shërbimit civil. “Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele si vijon: Të jenë nëpunës civilë të konfirmuar, brenda së njëjtës kategori (niveli i ulët drejtues); Të mos kenë masë disiplinore në fuqi; Të kenë të paktën vlerësimin e fundit “mirë” apo “shumë mirë”. Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme si vijon: Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në Shkenca Ekonomike/Shoqërore/Juridike. Edhe diploma e nivelit “Bachelor” duhet të jetë në të njëjtën fushë; Të kenë të paktën 3 vite përvojë pune në profesion; Të zotërojë certifikatë të sigurisë të informacionit të klasifikuar”, thuhet në njoftimin e KLP. Interesant është fakti se kandidatët do të tentohen dhe ndër pyetjet kryesore që do t’iu bëhen janë ato rreth reformës në drejtësi dhe legjislacionit të ri. “Kandidatët do të testohen në lidhje me: Njohuritë mbi legjislacionin e ri të Reformës në Drejtësi; Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë; Ligji 115/2016 “Për qeverisjen e organeve në sistemin e drejtësisë.”; Njohuritë mbi ligjin nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil” (i ndryshuar) dhe aktet nën ligjore; Ligji nr.9131 datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike””, vijon më tej njoftimi. Po ashtu, kandidatët do të intervistohen me gojë dhe do të vlerësohen në lidhje me njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës; eksperiencën e tyre të mëparshme; motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë. Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, informacioni për fituesin do te shpallet në faqen zyrtare të internetit te KLP dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.