Përvetësoi 500 mijë euro duke u hequr si miku i Gregor Ramës, gjykata dënon me 10 vite burg Klodian Cirunën

0
472

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 9 vite heqje lirie Klodian Cirunën, i akuzuar se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë rreth 500 mijë euro tre biznesmenëve në kryeqytet. Vendimi ndaj 43-vjeçarit është dhënë në fund të muajit korrik nga gjyqtari Llazar Sallaku, i cili e shpalli fajtor Cirunën për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/3. Mashtruesi serial u gjykua me gjykim të shkurtuar dhe për këtë ai do të përfitojë 1/3 uljen e dënimit. Në këtë mënyrë ai do të vuajë 6 vjet heqje lirie. Kujtojmë se prokurori Bledar Maksuti në përfundim të leximit të pretencës ndaj 42-vjeçarit, i kërkoi gjykatës shpalljen e tij fajtor dhe dënimin me 10 vite burg. Ndaj Klodian Cirunës prokuroria ngriti akuza se duke i premtuar leje ndërtimi apo marrjen e tenderëve të ndryshëm në kryeqytet, i ka marrë rreth 500 mijë euro, të paktën tre biznesmenëve. Sipas organit të akuzës, në kallëzimet e tyre përpara hetuesve ata kanë deklaruar se 42-vjeçari i premtonte leje duke i kërkuar shuma të konsiderueshme parash. Nga hetimet rezultoi se, mashtruesi i merrte këto para biznesmenëve duke përmendur emrat e drejtuesve të lartë të Bashkisë së Tiranës, madje në një rast ai ka përdorur dhe emrin e djalit të kryeministrit. I akuzuari për mashtrim, Klodian Ciruna duke shfrytëzuar një kompani “call center” që kishte hapur, u çonte mesazhe telefonike sikur ishin shkruar nga drejtues të lartë të bashkisë, personave që u kishte marrë eurot dhe u kishte premtuar lejet e ndërtimit. Në këto mesazhe të falsifikuara, viktimat e Cirunës siguroheshin se strukturat e bashkisë ishin duke përgatitur lejet e ndërtimit. Duke parë se ky lloj mashtrimi po mbante të qetë klientët e Cirunës, ky i fundit mendoi të bëhej edhe më i besueshëm, kur i dërgon një ndërtuesi një mesazh, sikur e kishte shkruar djali i kryeministrit dhe ku ndërtuesit i premtohej se do t’i jepej rikonstruksioni i Piramidës dhe disa rrugëve në kryeqytet. Përdorja e emrit të djalit të kryeministrit ishte dhe ajo që zbuloi skemën e mashtrimit të Cirunës. Pas marrjes së këtij mesazhi, ndërtuesi ka dyshuar seriozisht dhe pasi ka informuar me mesazh kryeministrin, mori përgjigjen prej tij se ky ishte një mashtrim. Atëherë ndërtuesi denoncoi Klodian Cirunën, denoncim i cili u pasua edhe me të tjerë persona që ishin mashtruar në shuma të konsiderueshme.

Mesazhet kërcënuese zbuluan mashtrimin

Ka qenë një mesazh kërcënimi në emër të kryeministrit Edi Rama që ka zbuluar mashtrimet e Klodian Cirunës. “Unë jam Edi Rama. Mos guxo të më kërcënosh djalin në telefon!”, ishte teksti i një mesazhi që mbërriti në telefonin e ndërtuesit Petraq Koka, në orët e para të mëngjesit të datën 15 dhjetor 2017. Biznesmeni Koka, i cili kishte zhvilluar vetëm komunikim telefonik me një person që i ishte prezantuar si Greg Rama, priste prej këtij të fundit që të ndërhynte për t’i çliruar një leje ndërtimi, e bllokuar në Bashkinë e Tiranës. Për këtë “ndërhyrje”, Petraq Koka kishte paguar rreth 225 mijë euro tek shtetasi Klodian Ciruna, i cili i ishte prezantuar si mik i kryeministrit Rama dhe djalit të tij, si edhe bashkëpunëtor i drejtuesve të lartë të Bashkisë së Tiranës të drejtuar nga Erion Veliaj. Para komunikimit me “Edi Ramën”, ai kishte komunikuar në telefon me dikë tjetër, që i ishte prezantuar si Greg Rama. Pas komunikimeve të vazhdueshme me “Gregun”, biznesmeni kishte nisur t’i kërkonte llogari se përse po vonohej leja e ndërtimit, ndërkohë që paratë i kishte dhënë. Pikërisht, në këtë kohë merr edhe mesazhin me tone kërcënuese nga “Edi Rama”. Biznesmeni Koka nisi të dyshojë se personat me të cilët kishte komunikuar në telefon nuk ishin ata që ai besonte, pra zyrtarët e lartë shtetërorë. Ai bën një lëvizje të fundit, i dërgon kryeministrit Rama një mesazh në adresën e tij private e-mail-edirama@gmail.com– në të cilën e vë në dijeni se dikush po shkruan në emër të tij. Më datë 27.05.2018, biznesmeni Koka ka marrë përgjigje nga portali zyrtar i Edi Ramës, me tekst: “Nuk kam idenë për çfarë bëhet fjalë dhe nuk kam asnjë lloj lidhje me asgjë që shkruan. Gjithë të mirat!” Pas marrjes së kësaj përgjigje biznesmeni kuptoi që kishte rënë pre e një mashtrimi dhe bëri kallëzim penal në prokurori.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here