Letërsia e huaj “mbyt” Panairin e librit, shkrimtarët: Mungon promovimi i autorëve shqiptarë

    0
    518

    Panairi i Librit “Tirana 2018” sot në ditën e fundit në Pallatin e Kongreseve. Gjatë këtyre ditëve në stendat e panairit janë përqendruar lexues të moshave të ndryshme, duke u njohur me prurjet e këtij viti nga shtëpitë botuese. Por për shkrimtarët edhe pse panairi është një ngjaje për librin, duket se vijon si çdo vit mungesa e vëmendjes ndaj letërsisë shqiptare dhe promovimin e autorëve tanë. Në reagimet e tyre ata shprehen se duhet të ishte më i organizuar për librin shqip, ku dhe këtë vit letërsia e huaj pak i ka lënë hapësira veprave shqipe. Shkrimtari Xhahid Bushati tregon se përkthimet e huaja dominojnë dhe panairi i librit në edicionin e tij të 21 vijon si dhe një vit më parë. “Panairi i këtij viti është pothuajse në ato linja si i vjetshmi, që do të thotë pak kemi prurje nga letërsia shqipe për të rritur. Pjesa dërrmuese është përthime nga letërsia e huaj. Por duhej promovime për autorët shqiptarë më tepër, më shumë një lloj programi të centralizuar për letërsinë shqipe, dhe të promovohej jo vetëm libri, por dhe kolanë, të dihej pak më gjerë për biografinë artistike të autorëve tanë. Më shumë po vihen firmat në panaire nga autorët shqiptarë. Por edhe pse ka probleme, panairi është i nevojshëm me të gjitha format e tij”, pohon mes të tjerave shkrimtari Xhahid Bushati. Por edhe këtë vit sipas tij çmimet e librave vijojnë të jenë të shtrenjta për lexuesit. “Çmimet janë shumë të shtrenjta, njerëz pak, libra si të vjetshmit, dhe para aspak. Pra ka një varfëri në këtë aspekt. Me gjithë entuziazmin e panairit mendoj që nuk është panairi shumë i pritshëm për vlerat”, vijon më tej shkrimtari Xhahid Bushati. Duke u ndalur në letërsinë për fëmijë këtë vit në panairi, si njohës i saj shkrimtari Xhahid Bushati shton se këtë edicionin vjen e tkurrur. “Nëse do të kalojmë nga letërsia për fëmijë skeda e parë është për pjesën parashkollore, dhe kemi një dendësi librash të llojeve dhe modeleve të ndryshme letrare, që unë do të thosha janë më afër biznesit se sa vlerave artistike. E dyta letërsia shqipe për fëmijë paraqitet e varfër, nuk ka prurje interesante. Ndërsa raportet me letërsinë shqipe për fëmijë, mbizotëron ajo që kemi shumë përkthime dhe disa do ti quaja cilësore. Por e përgjithshmja, letërsia për fëmijë më duket se është tkurrur shumë”, pohon shkrimtari Bushati.

    Më shumë libra komercialë

    Panairi i Librit mbyllet sot dhe për shkrimtarin Moikom Zeqo, edhe ky edicion vijon me më shumë libra komercialë. “Panairi i zakonshëm, jo ndonjë gjë të jashtëzakonshme, më shumë libra komercialë”, shprehet ai. Për autorin Pandeli Koçi vijon një raport i zhdrejtë mes prezantimit të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj në panair. “Vazhdon ende ai raporti i zhdrejtë, kur ne pretendojmë 50 përqind me 50, pra përsëri mbizotëron libri i huaj. Gjithmonë është thënë në mendimet e ndryshme kritike, që të ketë më shumë vepra nga letërsia shqipe. Por si mund të arrihet kjo në të ardhmen këtu mbetemi përpara faktorësh, që janë sa subjektiv aq dhe objektiv, por uroj që në të ardhmen të zgjidhet sadopak dhe ky raport të ndryshojë në favor të letërsisë shqipe. Kjo situatë vijon prej vitesh, ka të bëjë dhe me faktin nëse i bëhet publicitet sa duhet letërsisë shqipe, megjithëse në çdo panair vihet re që dalin libra të rinj, dhe kjo është pozitive nga letërsia jonë”, shprehet shkrimtari. Një problem sipas tij është dhe ribotimi sipas emrave të autorëve. “Një libër, i cili është kritikuar më parë e shikojmë atë që ribotohet sërish. Pra kemi këtu subjektivizmin ose nisemi nga emri i autorit dhe nuk shikojmë vlerat reale të tij”, vijon shkrimtari Koçi. Rënia e lexueshmërisë vitet e fundit ka bërë që Shoqata e Botuesve Shqiptarë këtë vit në edicionin e 21 të panairit të fokusohet tek leximi.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here