Francë, 1 i vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga protestat për çmimin e naftës

0
424

Një protestuese ka vdekur dhe dhjetra të tjerë u plagosën dje në rrugët e Francës teksa më shumë se 200 000 vetë dolën në protestë kundër rritjes së çmimit të naftës dhe politikave të tjera ekonomike të presidentit Macron. Një protestuese femër humbi jetën kur një shofer i rrethuar nga protestuesit e zuri paniku dhe goditi njerëzit me makinë. Protesta e njohur si “Jelekët e Verdhë”, bllokoi dhjetra autostrada, kryqëzime e tunele, dhe akuzon presidentin Emmanuel Macron se ka braktisur “njerëzit e vegjël”. Macron deri tani nuk ka komentuar mbi demonstruesit, shumë prej të cilëve kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij. Një ditë më parë ai pranoi se nuk ka arritur të “rikëshillojë popullin francez me liderët e tij”. Macron gjithsesi akuzoi rivalët politikë se po merrnin peng lëvizjen, me qëllim bllokimin e procesit të tij të reformave ekonomike.

244,000 njerëz në protestë

Ministria e brendshme tha se numri total i protestuesve në të gjithë vendin i kalonte 244,000, ndërsa gjatë incidenteve të ndryshme 106 njerëz ishin plagosur, pesë prej tyre seriozisht. 52 protestues ishin arrestuar. Mediat vendase raportonin se shumica e protestave ishin zhvilluar qetësisht dhe vetëm në disa raste policia kishte përdorur gazin lotsjellës. Shumica e plagosjeve kishte ardhur si rezultat i tentativave të shoferëve për të kaluar mes protestuesve që bllokonin rrugët. Në Paris protestuesit që po i afroheshin pallatit presidencial Élysée, u sprapsën nga policia me gaz lotsjellës. Protestuesit bllokuan hyrje tunelesh, kryqëzime të rëndësishme dhe kalimet drejt aeroporteve siç ndodhi në Tuluzë. Policia tha se kishte përdorur gaz lotsjellës për të liruar hyrjen ë një tuneli në alpet pranë Mont-Blanc. Demonstruesit të koordinuar në rrjetet sociale, nisën veprimin e tyre nga pakënaqësia ndaj Macron të cilin e konsiderojnë si një ish-bankier që ka humbur lidhjen me realitetin.

Rritja e çmimit të naftës

Çmimi i naftës, e cila përdoret më shumë në makinat franceze, është rritur me 23% për qind brenda një viti në afro 1.51 euro, që është dhe pika më e lartë që prej fillimit të viteve 2000. Çmimet botërore të karburanteve janë ulur përsëri prej atëhere por  qeveria e Macron ka ngritur këtë vit taksën e hidrokarbureve me 7.6 cent për litër për naftën dhe 3.9 cent për benzinën, si pjesë e fushatës së saj për qytete më të pastra nga karburantet. Ndërsa pikën finale debatit ia vuri vendimi për rritjen me 2.9 cent mbi naftën pas 1 Janarit 2019. Të mërkurën presidenti Macron fajësoi çmimet botërore për rritjen dhe shtoi se nevojiten më shumë taksa mbi karburantet fosile për të financuar investimet në energjinë e rinovueshme. Një mbështetje prej 75 % ndaj protestave të “Jelekëve të Verdhë” rezultoi në një sondazh të institutit Elabe ku 70% e të anketuarve kërkonin që qeveria të anulonte taksën e karburantit. Sondazhi tha se më shumë se gjysma e atyre që votuan për Macron tashmë mbështesin protestat, sipas kreut të Elabe, Vincent Thibault. “Pritshmëritë dhe pakënaqësia mbi shpenzimet janë të gjera, nuk është vetëm një çështje e klasës punëtore apo rurale të Francës”, tha ai. Liderja e të djathtës radikale Marine Le Pen, e mundur nga Macron në raundin final të presidencialeve, dha inkurajimin e saj në rrjetet sociale. “Qeveria nuk duhet të ketë frikë nga populli francez, që del për të shprehur revoltën e tyre në mënyrë paqësore”, tha Le Pen. Ndërsa kreu i republikanëve francezë të qendrës së djathtë, Laurent Wauquiez, i bëri thirrje qeverisë së Macron të heqë dorë nga taksa e janarit. “Protestat e sotme nuk janë ekonomike, por një protestë politike e mbështetur nga republikanët”, tha ai.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here