Google search engine
Home Kulture Adriana Elini-Xhajanka, regjisorja që solli në ekran portretet njerëzore dhe jetën shqiptare

Adriana Elini-Xhajanka, regjisorja që solli në ekran portretet njerëzore dhe jetën shqiptare

0
17

Regjisorja Adriana Elini-Xhajanka mbetet një nga emrat e rëndësishëm të filmit dokumentar shqiptar, me një krijimtari që përmes portreteve njerëzore dhe copëzave të jetës së përditshme dokumentoi realitetin e kohës. Me rreth 70 filma dokumentarë, reportazhe dhe kronika, ajo la një trashëgimi të çmuar në arkivin e kinematografisë shqiptare. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit nderoi regjisoren Adriana Elini-Xhajanka, duke rikthyer në vëmendje kontributin e saj në filmin dokumentar shqiptar dhe krijimtarinë që ruhet sot në fondet e arkivit. Regjisorja Adriana Elini-Xhajanka u vlerësua me çmimin si “Regjisorja më e Mirë” në Festivalin e VI të Filmit Dokumentar, për filmin “Çdo vijë, një vizatim”. AQSHF shprehet se ky vlerësim ishte një nga momentet e rëndësishme të karrierës së saj artistike, si një nga pioneret e brezit të kineastëve në Kinostudio ku ajo realizoi rreth 70 filma dokumentarë, reportazhe dhe kronika të shkurtra, përmes të cilave pasqyroi njerëz, histori dhe aspekte të ndryshme të jetës shqiptare.

“Me krijimtarinë e saj, Elini-Xhajanka dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e filmit dokumentar në Shqipëri, duke lënë pas një trashëgimi filmike me vlera artistike dhe dokumentuese. Kujtesa për veprën e saj sot na rikthen në vëmendje kontributin e kineastëve që ndërtuan historinë e dokumentarit shqiptar. Kineastja Adriana Elini- Xhajanka në filmat që realizoi nuk u orientua nga tematika të mëdha, por bëri pikturën e bashkohësisë. Në qendër të krijimtarisë së Adriana Elinit ishte jeta njerëzore, veçanërisht bota e fëmijëve, përmes së cilës ajo, me zgjuarsi dhe urtësi, ndërtonte një këndvështrim të çiltër e autentik, ku propaganda e kohës nuk arrinte të depërtonte thellë.

Në filmat e saj spikasin ndjeshmëria ndaj njerëzores, e bukura dhe vlerat që i shërbejnë shoqërisë, të përcjella përmes portreteve të njerëzve të thjeshtë, por të talentuar, punëtorë dhe të dobishëm për komunitetin”, thuhet nga AQSHF. Pjesë e brezit të regjisoreve që nisën veprimtarinë në fund të viteve ’50, Adriana Elini-Xhajanka e ndërtoi karrierën me pasion dhe përkushtim, duke kaluar nga regjia e montazhit në atë të filmit dokumentar. Nga fundi i viteve ’60 deri në mbylljen e epokës së Kinostudios “Shqipëria e Re”, ajo realizoi dhjetëra filma dokumentarë me metrazh të shkurtër, 19 prej të cilëve vetëm gjatë viteve ’70.

Ndër filmat e saj më të spikatur janë “Qylymat tanë”, “Art i lashtë, mjeshtër të rinj”, “Tokë e begatë”, “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, “Manush Alimani”, “Çdo vijë, një vizatim” dhe “Kolë Idromeno”. Për filmin “Çdo vijë, një vizatim” u vlerësua si Regjisorja më e Mirë në Festivalin e VI të Filmit Dokumentar, ndërsa filmi “Kolë Idromeno” u nderua me Çmimin e Tretë në Festivalin e VII. Adriana Elini u lind në Tiranë, më 3 prill 1937, në një familje qytetare me ideale të vyera atdhetare. U nda nga jeta më 24 nëntor 1994.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here