Gjykata e Lartë ka rrëzuar sërish rekursin e paraqitur nga dhëndri i ish-kryeministrit, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe vajzës së tij, Argita Berisha, duke lënë në fuqi masën e sekuestros preventive mbi 25 pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare. Ky vendim konfirmon përfundimisht vendimmarrjet e mëparshme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit të Posaçëm, të cilat kishin miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Bllokimi i këtyre aseteve është kryer me urdhër të SPAK në kuadër të hetimeve të gjera për dosjen e njohur si privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Gjurmët bankare të SPAK për pronat e Sali Berishës dhe dhëndrit të tij
Por zhvillimet e fundit gjyqësore kanë rikthyer në qendër të vëmendjes debatin e fortë publik dhe politik mbi pasurinë e familjes së kryetarit të opozitës, Sali Berisha, ku kundërshtarët politikë, qytetaret dhe drejtësia që po e heton, e akuzojnë atë për paradoksin mes deklarimeve modeste publike dhe vlerës së lartë të pronave të familjarëve të tij. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, vetëm në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi, rezultojnë të deklaruara në Shqipëri 35 pasuri të ndryshme, vlera e të cilave përllogaritet në dhjetëra miliona euro. Nga kjo pasuri e deklaruar, vlera e 25 aseteve të vëna aktualisht nën sekuestro nga organi i akuzës kap shifrën e rreth 5.4 milionë eurove.
Megjithatë, hetimet e SPAK të pasqyruara në dosjen voluminoze prej 500 faqesh tregojnë se bilanci pasuror shtrihet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, në katër prej qyteteve më të shtrenjta të Evropës. Bazuar vetëm në gjurmët dhe transferimet e konstatuara në rrugë bankare nga prokurorët e posaçëm, rezulton një apartament në Mynih të Gjermanisë me vlerë të paktën 450 mijë euro, si dhe një tjetër në kryeqytetin belg, Bruksel, që kap vlerën e të paktën 395 mijë eurove. Po ashtu, në dokumentet e hetimeve evidentohet një apartament luksoz në Roterdam të Holandës me vlerë 360 mijë euro, si dhe një pronë tjetër në Budapest të Hungarisë, vlera e së cilës shkon në 155 mijë euro. Të gjitha këto shifra përfaqësojnë vetëm pagesat e dokumentuara përmes transaksioneve bankare që SPAK kishte arritur të zbulonte deri në momentin e dorëzimit të dosjes 500-faqëshe, e cila shërbeu për komunikimin e akuzës dhe marrjen si të pandehur të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit.
Debati politik mbi pasuritë e sekuestruara dhe kredibilitetin e premtimeve elektorale
Por ekspozimi i këtyre pasurive në dosjen e Prokurorisë së Posaçme zbeh ndjeshëm kredibilitetin e premtimeve të kreut të opozitës, Sali Berisha, për zbutjen e varfërisë dhe sjelljen e progresit ekonomik në rast të rikthimit në pushtet. Ka dyshime se këto asete janë vënë pikërisht gjatë periudhës kur ai mbante postin e kryeministrit, çka sipas tyre bie ndesh me imazhin e liderit modest që kërkon të përçojë. Po ashtu, lënia në fuqi e sekuestros së pronave nga Gjykata e Lartë pas urdhrit të SPAK shihet si një tregues i paradoksit të një politikani të etiketuar si “varfanjak miliarder”. Nga ana tjetër, vetë Berisha dhe mbështetësit e tij i hedhin poshtë këto interpretime, duke argumentuar se pasuritë e familjarëve janë krijuar nga burime të ligjshme dhe të deklaruara, ndërsa vendimet e drejtësisë i cilësojnë si pjesë të një sulmi të motivuar politikisht. Megjithatë me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, pasuritë e bllokuara mbeten të ngrira deri në përfundimin e procesit gjyqësor në themel, ku do të vendoset përfundimisht mbi fatin e tyre dhe mbi akuzat e ngritura nga SPAK.
Lista e plotë e pasurive të sekuestruara
1. Shuma prej 63,657.10 euro, gjendur në llogarinë bankare pranë ….. në monedhën euro me nr. 113398964650127, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
2. Shuma prej 2,699,408.46 lekë, gjendur në llogarinë pranë …… në monedhën lek me nr. 00000027583-74, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
3. Shuma prej 29,259.43 USD, gjendur në llogarinë bankare pranë ……. në monedhën USD me nr. 40201835101, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
4. Shuma prej 62,018.49 euro, gjendur në llogarinë bankare pranë ……. në monedhën euro me nr. 40201835102, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
5. Shuma prej 45,705.66 euro, gjendur në llogarinë bankare pranë …….. në monedhën euro me nr. 40201838001, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
6. Shuma prej 26,492.72 euro, gjendur në llogarinë bankare pranë ……… në monedhën euro me nr. 403592661, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
7. Pasuria nr. ND 2/261+2-19, vol. 27, faqe 213, ZK 8160, apartament me sipërfaqe 128.3 m², i ndodhur në rrugën “Mustafa Matohiti”, godina 7, hyrja 2, apartamenti 8;
8. Bodrumi i ndodhur në Tiranë, rruga “Mustafa Matohiti”, me sipërfaqe 18 m², ZK 8160, pasuria nr. ND 2/261-B9, vol. 28, faqja 56;
9. Bodrumi i ndodhur në Tiranë, rruga “Mustafa Matohiti”, me sipërfaqe 28 m², ZK 8160, pasuria nr. 2/261-B24, vol. 28, faqja 71;
10. Pasuria nr. ND 2/261+2-25, vol. 27, faqe 190, ZK 8160, apartament me sipërfaqe 195 m², i ndodhur në rrugën “Mustafa Matohiti”, shkalla 1, kati i 8-të, apartamenti 25;
11. Pasuria nr. 2/261/ND+1-12, vol. 27, fq. 177, ZK 8160, me sipërfaqe 102.60 m²;
12. Pasuria nr. 4/90+1-23, vol. 68, faqe 227, ZK 8270, apartament me sipërfaqe 208.20 m², i ndodhur në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë;
13. Pasuria nr. 4/90-G6, vol. 68, fq. 131, ZK 8270;
14. Pasuria nr. 370/18, vol. 8, fq. 219, ZK 3051, në bashkëpronësi të Jamarbër Malltezit dhe Argita Malltezit;
15. Apartament me numër pasurie nr. 3/491+19-4, vol. 62, fq. 42, ZK 8220, me sipërfaqe 346.1 m² dhe sipërfaqe të përbashkët 70.3 m²;
16. Apartament me numër pasurie nr. 3/491+19-5, vol. 62, fq. 47, ZK 8220, me sipërfaqe 356.3 m² dhe sipërfaqe të përbashkët 68.8 m²;
17. Njësi me numër pasurie nr. 3/491+19-N3, vol. 62, fq. 26, ZK 8220, me sipërfaqe 459.6 m² dhe sipërfaqe të përbashkët 38.7 m² (në dokumentin burimor figuron e shënuar edhe me sipërfaqe të përbashkët 43.03 m²);
18. Njësi me numër pasurie nr. 3/491+19-N2, vol. 62, fq. 27, ZK 8220, me sipërfaqe 379.6 m² dhe sipërfaqe të përbashkët 38.7 m²;
19. Njësi me numër pasurie nr. 3/491+18-N3, Kodi Unik 8220062026, me sipërfaqe 459.6 m² dhe sipërfaqe të përbashkët 43.3 m²;
20. Apartament me numër pasurie nr. 3/491+19-2, Kodi Unik 8220062032, me sipërfaqe 375 m² dhe sipërfaqe të përbashkët 31.1 m²;
21. Truall dhe vilë (apartament dupleks) e vendosur mbi këtë truall me nr. pasurie 172/277, ZK 2375, vol. 14, faqja 77, me sipërfaqe trualli 187.7 m², me sipërfaqe ndërtimi 76.23 m², e ndarë në: kati përdhe me sipërfaqe 76.23 m², kati i parë me sipërfaqe 76.22 m², si dhe verandë me sipërfaqe 22.73 m²;
22. Pasuria me numër 3/201+2-N3, vol. 28, fq. 26, e ndodhur në ZK 8220, me sipërfaqe 107 m², rruga “Frosina Plaku”, kati përdhe i godinës 9 (nëntë) katëshe, shkalla 2;
23. Masa 45% e kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë “Homeplan” sh.p.k., me NIPT K81803020E, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
24. Masa 100% e kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë “Magnet IMO” sh.p.k., me NIPT L81714031D, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
25. Masa 60% e kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë “Magnet Gym&Fit”, me NIPT L72022010B, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi.









































