Google search engine
Home Kulture Piktura ruhej në rreth 60% të sipërfaqes, restaurohet ikona e “Shën Marisë...

Piktura ruhej në rreth 60% të sipërfaqes, restaurohet ikona e “Shën Marisë me Krishtin” e shekullit XVI

0
12

Dëmtimet në suportin prej druri, humbja e shtresave përgatitore dhe ngritja e pelikulës piktorike kishin prekur ndjeshëm ikonën “Shën Maria me Krishtin”, një vepër e shekullit XVI, piktura e së cilës ruhej në rreth 60 për qind të sipërfaqes. Pas ndërhyrjes në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit të muzeut ikonografik “Onufri” në Berat, ikona është tashmë e ekspozuar për vizitorët, duke sjellë sërish në vëmendje ngjyrat, kaligrafinë dhe detajet e ruajtura të kësaj vepre të trashëgimisë kulturore të Beratit. Qendra Kombëtare Muzeore Berat bën të ditur se ndërhyrja restauruese përfshiu trajtimin e dëmtimeve në suportin prej druri, konsolidimin e shtresave piktorike dhe pastrimin e sipërfaqes së ikonës.

“E restauruar në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit të Muzeut Onufri, ikona e “Shën Marisë me Krishtin”, e tipit përkëdhelëse, është tashmë e ekspozuar në muze. Vepra e shekullit XVI vjen nga kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës, në Kalanë e Beratit, dhe prej 40 vitesh ruhet në fondin e Muzeut Onufri. Para ndërhyrjes, ajo kishte dëmtime në suportin prej druri, humbje të shtresave përgatitore, ngritje të pelikulës piktorike dhe papastërti të qëndrueshme nga ndërhyrje të mëparshme. Piktura ruhej në rreth 60 % të sipërfaqes”, thuhet nga Qendra Kombëtare Muzeore Berat. Pas restaurimit, ikona i është rikthyer publikut, duke bërë të mundur që vizitorët e muzeut ikonografik “Onufri” të vlerësojnë nga afër elementet artistike dhe detajet e ruajtura të kësaj vepre të shekullit XVI.

Restaurimi i ikonës

Restaurimi i ikonës “Shën Maria me Krishtin” është pjesë e procesit të konservimit dhe restaurimit të veprave të trashëgimisë ikonografike, të realizuar në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit të muzeut “Onufri”. Qendra Kombëtare Muzeore Berat thekson se restaurimi që iu bë ikonës ka nxjerrë sërish në pah vlerat artistike të saj. “Pas restaurimit, pjesët e ruajtura zbulojnë sërish forcën e ngjyrave, të kuqen, ultramarinën dhe kobaltin, si edhe elegancën e kaligrafisë dhe stilizimin në ar. Edhe pse një pjesë e pikturës ka humbur, bukuria e ikonës mund të vlerësohet nga afër në Muzeun Onufri”, shprehet qendra muzeore. Koleksioni i muzeut përbëhet nga objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike.

Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986 dhe është një nga vendet më të vizituara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here