Google search engine
Home Kulture “Zot”, kur jeta dhe vdekja bëhen çështje gjykimi, premiera mbi lirinë dhe...

“Zot”, kur jeta dhe vdekja bëhen çështje gjykimi, premiera mbi lirinë dhe dinjitetin njerëzor

0
12

Nga Julia Vrapi

E drejta për të zgjedhur, liria individuale dhe dinjiteti njerëzor janë në qendër të shfaqjes “Zot”, e cila trajton përmes një procesi gjyqësor, një nga dilemat më të debatueshme të shoqërisë. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në bashkëpunim me Teatrin e Gjilanit, sjell në dhjetor në skenë shfaqjen premierë “Zot”, bazuar në veprën “GOTT” të dramaturgut dhe shkrimtarit gjerman Ferdinand von Schirach, me regji të Norbert Jacek Rakowski. Teatri Eksperimental shprehet se shfaqja trajton një nga dilemat më të ndërlikuara etike dhe filozofike të kohës sonë. “Një gjyq mbi jetën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

A ka njeriu të drejtën të vendosë vetë për fundin e jetës së tij? Ku përfundon liria individuale dhe ku fillon përgjegjësia e shoqërisë? Kush ka të drejtën të vendosë mbi trupin, dinjitetin dhe ekzistencën tonë? “Zot” trajton një nga dilemat më të ndërlikuara etike dhe filozofike të kohës sonë: të drejtën e individit për të zgjedhur fundin e jetës së tij. Përmes një procesi gjyqësor të pazakontë, vepra vendos përballë njëra-tjetrës argumente juridike, morale, fetare dhe mjekësore, duke vënë në diskutim kufijtë e lirisë individuale dhe ndërhyrjes së shtetit”, thuhet nga Teatri Eksperimental. Në konceptin regjisorial të Norbert Jacek Rakowski, shfaqja largohet nga realizmi tradicional dhe ndërtohet si një instalacion performativ, ku skena shndërrohet në një hapësirë gjykimi dhe publiku ftohet të bëhet pjesë aktive e procesit, duke dëgjuar, gjykuar dhe mbajtur një qëndrim.

““Zot” nuk synon të japë përgjigje të gatshme, por të nxisë reflektim dhe debat mbi një pyetje thelbësore: A është vendimi për jetën dhe vdekjen një e drejtë që i përket vetëm individit?”, shprehet teatri. Premiera e re teatrore sjell në role aktorët: Viktor Zhusti, Romir Zalla, Aurita Agushi, Era Caushi,  Kushtrim Qerimi,Pjerin Vlashi,  Xhoana Karaj dhe Adriana Tolka. Skenografe në shfaqje nga Maria Bogna Jankowska, kostumografe Sofi Kara dhe përkthyese e veprës Anna Kove.

Vepra pas Tiranës në skenën e Gjilanit

Pas prezantimit në Tiranë në mbrëmjet e datave 3, 4, 5 dhe 6 dhjetor, shfaqja “Zot” do të vihet në skenë në Teatrin e Gjilanit në Kosovë, në datat 16, 17 dhe 18 dhjetor, duke vijuar kështu rrugëtimin e saj artistik përtej kufijve. Regjisori polak Norbert Rakowski debutoi në regjinë teatrore në korrik të vitit 1999, me produksionin e tij origjinal “Suddenly”, në Teatrin Studio të Varshavës. Në shkurt të vitit 2001, ai vuri në skenë shfaqjen e tij të diplomës, “Solitaire”, bazuar në veprën e dramaturgut amerikan Robert Anderson, në Teatrin Współczesny të Varshavës. Që atëherë, Rakowski ka realizuar më shumë se 30 shfaqje. Bashkëpunimi për realizimin dhe prezantimin e shfaqjes “Zot” mes Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatrit të Gjilanit zhvillohet në kuadër të Javës së Përbashkët Kulturore Shqipëri-Kosovë dhe synon të mundësojë shkëmbimin e produksioneve artistike dhe prezantimin e krijimtarisë teatrore në të dy vendet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here