Britania e Madhe ka nisur të marrë masa të reja për mbrojtjen e avionëve të saj ushtarakë, mes shqetësimeve në rritje për sulme të mundshme me dronë nga Rusia apo Irani.
Gazeta britanike “The Times” raporton se Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) kanë nisur të zhvendosin gjatë natës avionët në hangarë dhe strehimore të fortifikuara, ndërsa personeli ushtarak është ngarkuar edhe me instalimin e rrjetave mbrojtëse kundër dronëve për avionët që qëndrojnë në ambiente të hapura.
Masat e reja vijnë në një kohë kur drejtuesit e ushtrisë britanike po përgatiten për mundësinë e përfshirjes në një konflikt ushtarak deri në vitin 2030.
Shefi i Forcave Ajrore Mbretërore, marshalli Sir Harv Smyth, ka theksuar nevojën për shpërndarjen e shpejtë të avionëve ushtarakë në pika të ndryshme të territorit britanik, për të shmangur shkatërrimin e një numri të madh avionësh nga një sulm i vetëm.
Strategjia mbështetet edhe në përvojën e luftës në Ukrainë, ku sulmet me dronë dhe raketa kanë nxjerrë në pah cenueshmërinë e bazave ajrore dhe të avionëve ushtarakë të kushtueshëm.
Britania po rikthehet kështu te disa prej praktikave të Luftës së Ftohtë, kur forcat e armatosura zhvillonin rregullisht stërvitje për t’u përgatitur për një konflikt në territorin e tyre.
Në fillim të këtij viti, Forcat Ajrore Britanike zhvilluan një stërvitje dyjavore, të koduar “Agile Warrior”, gjatë së cilës u simuluan sulme kibernetike, goditje me raketa dhe ndërprerje të operacioneve ushtarake.
Shqetësimet për sigurinë janë shtuar pas disa incidenteve të dyshimta në bazat ushtarake britanike. Në fillim të këtij muaji, forcat amerikane reaguan ndaj aktivitetit të dyshuar të dronëve pranë bazës ajrore Lakenheath.
Ndërkohë, një kërcënim që dyshohet se kishte lidhje me Iranin bëri që Pentagoni të zhvendoste bombarduesit amerikanë nga baza Fairford.
Agjencia britanike e inteligjencës MI5 dhe Ministria e Mbrojtjes paralajmëruan gjithashtu të martën për rrezikun në rritje të sabotimeve ruse ndaj kompanive britanike që furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake.
Ministria britanike e Mbrojtjes ende nuk ka komentuar zyrtarisht raportimet për masat e reja të mbrojtjes së avionëve.









































