Google search engine
Home Sport Gripshi i pakënaqur në Rusi, Jasir Asani i dashuruar me Champions në...

Gripshi i pakënaqur në Rusi, Jasir Asani i dashuruar me Champions në Azi

0
17

Paraqitjet e legjionarëve tanë me skuadrat e tyre në Europë dhe më gjerë janë të mira. Natyrisht ka futbollistë që po bëjnë mirë në çdo aspekt, duke spikatur edhe me gola dhe asiste. Por ka edhe të tjerë që vuajnë në këtë moment. Referuar mediave sportive, Jasir Asani po shkëlqen me Esteghlal në Iran, duke regjistruar performancë cilësore dhe në Champions League të Azisë, kurse Nazmi Gripshi po vuan te Rubin kazani rus. Ka të tjerë si Ismajli që vuajnë nga dëmtimi, etj.

Gripshi në hall te Rubini rus

Nazmi Gripshi po kalon një moment jo shumë të mirë te Rubin Kazan në kampionatin rus. Mesfushori shqiptar, i cili u transferua në Rusi në fillim të vitit 2026, pasi kishte shkëlqyer në futbollin kazak, duket se ka humbur disi shkëlqimin e tij në aventurën e re. Është media kazake “Vesti.kz” që i ka kushtuar një artikull situatës së 29-vjeçarit, duke ngritur edhe mundësinë e një rikthimi të tij në kampionatin kazak. Sipas analizës së publikuar nga medat ruse, Gripshi e nisi në mënyrë premtuese aventurën me Rubin Kazan, por me kalimin e muajve ka pësuar një rënie të dukshme në performancë dhe nuk po arrin të ketë të njëjtin ndikim si më parë. Në sezonin 2025, shqiptari ishte një prej futbollistëve më të spikatur të kampionatit kazak. Me fanellën e Astanas, ai realizoi 16 gola, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit.

Për rreth një vit e gjysmë, Gripshi ishte një prej liderëve të skuadrës kryeqytetase dhe konsiderohej ndër lojtarët e huaj më cilësorë që aktivizoheshin në futbollin e Kazakistanit. Megjithatë, vështirësitë financiare të Astanës bënë që klubi të mos arrinte ta mbante më gjatë futbollistin shqiptar. Në shkurt të vitit 2026, Gripshi u transferua te Rubin Kazan për shumën e raportuar prej 390 mijë eurosh, duke nisur kështu një aventurë të re në Premier League ruse. Pavarësisht pritshmërive të krijuara nga paraqitjet e tij në Kazakistan, aventura në Rusi nuk ka vijuar në mënyrën e dëshiruar. Për këtë arsye, “Vesti.kz” ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e mesfushorit dhe sugjeron se një rikthim në kampionatin kazak mund të ishte një zgjidhje e dobishme për të rifituar formën dhe besimin.

Asani sërish protagonist me Esteghlal në Champions League të Azisë

Jasir Asani jep gjithmonë më të mirën e tij kur vjen momenti i Ligës së Kampioneve të Azisë. Dhe pas shkëlqimit me Guangju në këtë turne, po bën të njëjtën gjë me rregullsi edhe me Esteghlal. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka lënë shenjën e tij në ndeshjen e sotme në transfertë ndaj Al Ain të Emirateve të Bashkuara Arabe në fazën në grupe të turneut, duke mbajtur klubin iranian në garë për një kualifikim të mëtejshëm në fazën me eliminim direkt. Në minutën e 51-të të sfidës, një harkim i tij perfekt me të majtën gjeti Fallah, i cili shënoi me kokë golin e avantazhit për ekipin iranian. Vendasit më pas barazuan dhe sfida u mbyll 1-1, por edhe kaq i mjaftoi Esteghlal që të mbetej në pozicionin e tretë në renditjen e përgjithshme dhe plotësisht në garë për të vazhduar më tej në këtë turne. Për Asanin ky ishte asisti i dytë i edicionit në të cilin ka shënuar edhe tre gola për skuadrën e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here