Regjisori Kushtrim Koliqi ka njoftuar se nuk do të marrë më pjesë me shfaqjet e tij në Festivalin e Teatrit “Moisiu”, duke kundërshtuar mënyrën e organizimit dhe procesin e vlerësimit. Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, ai ngre shqetësime për standardet profesionale, artistike dhe etike të festivalit, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë e organizatorëve dhe jurisë. “Si regjisor pjesëmarrës në Festivalin e Teatrit “Moisiu”, shpreh indinjatën time të thellë për degradimin e standardeve profesionale, artistike dhe etike të këtij festivali. Mënyra e organizimit, procesi i vlerësimit dhe vendimet e jurisë, ngrenë dyshime serioze mbi integritetin, paanshmërinë dhe kredibilitetin vleror e artistik të festivalit. Përgjegjësia për këtë situatë bie si mbi organizatorët, ashtu edhe mbi jurinë e festivalit.
Është e turpshme se si veprimet që ngrenë dyshime serioze për manipulime, shkëmbime favoresh dhe praktika të tjera korruptive manifestohen kaq hapur, në sytë e të gjithë komunitetit artistik, pa asnjë ndjesi përgjegjësie profesionale dhe morale. Me përbuzje dhe përçmim i shoh këto praktika dhe sjellje, të cilat, përveçse ofendojnë punën artistike, cenojnë dinjitetin profesional të artistëve dhe zhvlerësojnë vetë institucionin e festivalit. Reagimi im buron nga refuzimi kategorik i një kulture organizative dhe vlerësuese që komprometon parimet themelore të profesionalizmit, meritokracisë dhe etikës artistike”, shprehet ai në reagimin e tij në Facebook.
Koliqi e cilëson të papranueshme mënyrën aktuale të funksionimit të festivalit, duke theksuar se vendimi për të mos marrë pjesë me shfaqjet e tij është një akt proteste dhe përgjegjësie profesionale. “Është e papranueshme që një festival që mban emrin e Aleksandër Moisiut dhe pretendon të përfaqësojë vlerat më të mira të teatrit, të degradojë deri në atë pikë sa të vërë në dyshim vetë kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës së tij. Për këto arsye, kam vendosur që, për sa kohë festivali “Moisiu” mbetet brenda kësaj mendësie të funksionimit, të mos marr pjesë me asnjë nga shfaqjet e mia në të. Nuk pranoj që përmes emrit, punës dhe pjesëmarrjes sime të legjitimoj praktika që, sipas bindjes sime profesionale, kontribuojnë në degradimin e kulturës teatrore dhe të sistemit të vlerësimit artistik.
Ky vendim është një akt proteste, refuzimi dhe përgjegjësie profesionale, në emër të mesazhit që rrezikojmë të përçojmë për teatrin dhe mënyrën si duhet bërë ai, duke i pranuar e rehabilituar këto praktika dhe njerëzit që i ushtrojnë ato. Heshtja përballë degradimit është bashkëpjesëmarrje në të. Unë refuzoj të bëhem pjesë e këtij normalizimi”, shprehet ai në Facebook. Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” e zhvilloi edicionin e tij të katërt nga data 16 deri më 22 nëntor, pranë Teatrit Shqiptar- Shkup në Maqedoninë e Veriut.



