Krijimtaria muzikore shqiptare ishte në qendër të mbrëmjes hapëse të edicionit të parë të festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”. Përmes veprave të reja të kompozitorëve shqiptarë dhe interpretimeve të artistëve vendas, publiku u njoh me krijime të prezantuara për herë të parë. Në një sallë me artdashës, të mbledhur për të shijuar tingujt e muzikës së krijimtarisë shqiptare, u çel edicioni i parë i festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare” në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Kjo mbrëmje më 11 nëntor, kushtuar muzikës së dhomës, solli për herë të parë përpara publikut vepra premierë absolute të kompozitorëve shqiptarë: Haig Zacharian me “Folk Game for Five”, Maksim Shehu me “Fllad Pranveror në Bregdet”, Ajet Çekiçi me “Ëndërr”, Ylli Ramzoti me “Desha”, Niko Boçi me “Vegim”. Veprat u interpretuan nga solistët Rovena Xhellili (soprano), Amelda Papa (mezzo-soprano) dhe Artur Vera (bariton). Në pjesën instrumentale morën pjesë Etrita Ibrahimi në piano, Enalda Gjoni në flaut, Gëzim Bulçari, Romina Tafaj, Nikola Kondakçi dhe Sonja Hoxhallari në violinë, Xhanina Çela dhe Flobens Zyma në violë, Aida Kasmi në harpë, Gëzim Hysi dhe Jona Çegrani në violonçel, Eldi Smaja në perkusion, si dhe Nikola Kondakçi e Sonja Hoxhallari në violinë.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se ishte një mbrëmje që i dha zë krijimtarisë shqiptare, duke dëshmuar pasurinë, larminë dhe potencialin e muzikës sonë. “Një skenë e hapur për kompozitorët shqiptarë dhe një takim i ri mes veprave të tyre dhe publikut”, thuhet nga TKOB për këtë koncert që solli vepra muzikore premierë të shkruar nga autorë, që u shpallën më herët dhe fitues të konkursit kombëtar “Tish Daija”.
Konkursi dhe krijimtaria muzikore
Me në qendër krijimtarinë muzikore shqiptare, rrugëtimi i festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare” ka nisur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku në vijim vepra të autorëve të tjerë fitues të konkursit “Tish Daija” do të jenë pjesë e koncerteve. Përmes Fondit të Krijimtarisë, 23 kompozitorë, emra të afirmuar dhe talente të reja, prezantojnë veprat e tyre si pjesë e festivalit. Veprat e tyre do të interpretohen nga të gjitha trupat artistike të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Në mbrëmjen e parë të festivalit në koncertin e muzikës së dhomës në TKOB, publiku pati mundësinë të njihte nga afër pesë prej këtyre krijimeve. Krijimtaria e re muzikore shqiptare ishte në fokus të konkursit kombëtar “Tish Daija”, organizuar më parë nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit të shquar. Konkursi ka sjellë vepra të reja në disa zhanre, nga muzika e dhomës dhe “Kor A Cappella” te krijimet për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.












































