“Drejtësi në Nuremberg” trajton gjyqin ndaj gjyqtarëve nazistë pas Luftës së Dytë Botërore, duke vënë në qendër përgjegjësinë e tyre për vendimet e marra në emër të ligjit. Përmes kësaj vepre teatrore, publikut i përcillet edhe një mesazh mbi ndërgjegjen njerëzore dhe rëndësinë e të mos heshturit përballë krimit. “Drejtësi në Nuremberg” shkruar nga Abby Mann, me regji nga Arben Kumbaro erdhi këtë nëntor në skenën teatrore me interpretimin e një kaste aktorësh të njohur. Shfaqja ishte pjesë e programit artistik të Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë. Shfaqja u ndoq nga një sallë e mbushur me publik, që ndoqi interpretimin e trupës teatrore.
Pas skenës së teatrit në Tiranë, kjo shfaqje do të udhëtojë drejt Shkupit, ku pritet të shfaqet atje më 16 nëntor. Kjo shfaqje teatrore shënoi premierën në muaj mars në skenën teatrore, ndërsa para premierës Teatri Kombëtar e kishte përshkruar veprën “Drejtësi në Nuremberg” si më shumë se një dramë historike, duke e cilësuar atë si një paralajmërim dhe një apel për ndërgjegjen njerëzore. “Çfarë ndodh kur vrasim në emër të ligjit? “Drejtësi në Nuremberg” nuk është vetëm një dramë historike. Është një paralajmërim. Një apel për ndërgjegjen njerëzore. Një klithmë për të mos heshtur”, thuhej në prezantimin e Teatrit Kombëtar.
Në shfaqje interpretojnë aktorët Myzafer Zifla, Alfred Trebicka, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Elia Zaharia, Viktor Zhusti, Luli Bitri, Donald Shehu, Neritan Liçaj, Artan Imami dhe Sokol Angjeli, së bashku me aktorë të tjerë të trupës teatrore. Skenograf në këtë vepër teatrore është Genc Shkodrani, kostumografe Laedia Hajdari, kompozitor Endri Sina, përkthyes Ilir Baçi. Abby Mann (1927-2008) ishte një skenarist dhe dramaturg amerikan i njohur për veprat e tij. Vepra “Drejtësi në Nuremberg” mbetet një nga krijimet e tij më të njohura, e cila vijon të interpretohet në skena teatrore për shkak të tematikave që trajton.
Programi artistik në nëntor
Programi artistik i muajit nëntor në Teatrin Kombëtar përmban disa shfaqje. Nëntori nisi me shfaqjen “Otello” nga Shekspir me regji nga Qëndrim Rijani dhe në vijim sipas kalendarit artistik publikuar më herët nga TK ishte shfaqja “Diaspora” në datat 7 dhe 8 në Bari të Italisë. Programi artistik vijoi me rikthimin e dramës “Drejtësi në Nuremberg” në mbrëmjet e datave 11, 12 dhe 13 nëntor, shfaqje që do të vijojë këtë muaj si produksion i Teatrit Kombëtar në Tiranë në festivalin mbarëkombëtar “Moisiu”, që këtë vit do të zhvillohet në Shkup në Maqedoninë e Veriut në datat 16-22 nëntor











































