Ish-komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për shpalljen e moskompetencës lëndore për dosjen e bazës detare të Shëngjinit dhe kalimin e akteve në Prokurorinë e Lezhës. Meçollari bën me dije se kishte kallëzuar në SPAK në prill të vitit 2021 për shpërdorim detyre ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, komandantin e Forcës Detare, Ilir Xhebexhia, dhe komandantin e Policisë Ushtarake, Altin Kurti. Pas përgjigjes së SPAK se hetimi ishte transferuar në Lezhë, ai pretendon se vendimi erdhi pas përjashtimit të Begajt nga hetimi. Në reagimin e tij, Meçollari ngre disa pyetje për prokuroren Manjola Kajana lidhur me moszbatimin e urdhrit për ndalimin e punimeve në bazë, shkarkimin e komandantit të saj dhe përgjegjësinë e drejtuesve ushtarakë për ndërtimin e godinës.
Kronologjia
Në fund të nëntorit 2020 brenda bazës detare të Shëngjinit nisi ndërtimi i një godine, të cilën e denoncova në fillim të dhjetorit në Facebook dhe media; Më 18 dhjetor 2020 ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Bajram Begaj nxjerr një urdhrin Nr. 16 (urdhër i klasifikuar “konfidencial” por në dosjen e SPAK), që Policia Ushtarake të vendoset në Shëngjin për të ndihmuar Forcën Detare në sigurimin e Bazës detare të Shëngjinit dhe moslejimin e punimeve; Më 19 dhjetor 2020 komandanti i Bazës Detare tē Shëngjinit i kërkon oficerit të Policisë Ushtarake të vendosur në bazë që ta ndihmojë të nxjerri jashtë bazës punonjësit civile të firmës private që ndërtonte pallatin. Policia Ushtarake refuzon ta ndihmojë, pa urdhër të komandantit të Policisë Ushtarake.
Urdhër që nuk erdhi; Më 20 dhjetor 2020 komandanti i Bazës Detare të Shëngjinit i raporton komandantit të Forcës Detare se Policia Ushtarake nuk po e ndihmon për zbatimin e urdhrit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA për sigurimin e bazës dhe pezullimin e punimeve në godinë. Ky informacion i shkon dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe vet Bajram Begës; Më 22 dhjetor 2020 ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Bajram Begaj i propozon Ministrit të Mbrojtjes lirimin nga detyra të komandantit të Bazës Detare të Shëngjinit; Më 23 dhjetor 2020 me urdhrin nr. 1638 ish-Ministri i Mbrojtjes Olta Xhaçka liron nga detyra pa motivacion komandantin e Bazës Detare të Shëngjinit; Deri në 23 dhjetor 2020 godina ishte në themele.
Punimet vijonin edhe pse kishte një urdhër të Begaj për bllokimin e tyre. 6 mars 2021. Pas denoncimeve të mia periodike në Facebook dhe media, punimet e godinës u ndërprenë me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi kur godina kishte mbërritur në katin e katërt. 1 prill 202. Bëj kallëzim në SPAK për “shpërdorim detyre” për gjeneralmajor Bajram Begaj, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralbrigade Ilir Xhebexhia, Komandant i Forcës Detare dhe kolonel Altin Kurti, komandant i Policisë Ushtarake.
Kallëzimi penal pas verifikimit regjistrohet me nr. 109/2021 më 15 prill 2021 dhe fillon hetimi paraprak. Për ketë janë pyetur nga SPAK tre të kallëzuarit, dhe dy komandantët e bazës së Shëngjinit, i shkarkuari dhe i emëruari, si dhe unë. Çdo vit i bëj kërkesë SPAK, si kallëzues dhe më kthen përgjigje që çështja është në hetim paraprak. Këtë vit, më 3 shkurt 2026, i kam dërguar kërkesë për informacion SPAK.
Nuk më ka kthyer përgjigje. Kam kontaktuar direkt shefin e SPAK, Klodian Braho, i cili nuk ka marrë përsipër kthimin e përgjigjes, edhe pse Zyra e Koordinimit varet prej tij. Në datën 28 tetor 2026, pas 5 vjet e 5 muaj hetime paraprak, i dërgova një kërkesë të dytë z. Braho dhe znj. Kajana (prokurore e çështjes) për statusin e hetimin të bazës detare të Shëngjin dhe Sarandë. Më kthen përgjigje znj. Ada Eqimi, Koordinatore për Marrëdhëniet me publikun, e cila shprehet se “me vendimin e datës 27.7.2026, është shpallur moskompetenca lëndore” për dosjen nr. 109/2021 të bazës detare të Shëngjinit.
“Në lidhje me procedimin penal nr. 109/2021, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ju bëjmë me dije se me vendimin e datës 27.7.2026, është shpallur moskompetenca lëndore dhe aktet e këtij procedimi i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë. Për rrjedhojë, për çdo kërkesë të mëtejshme për informacion lidhur me ecurinë e këtij procedimi penal, duhet t’i drejtoheni organit të prokurorisë pranë të cilit janë përcjellë aktet”. – Ada Eqimi Duket qartë që moskompetenca lëndore e SPAK ka ardhur si rezultat i përjashtimit nga hetimi të Bajram Begaj, sot President.
Pyetjet
Por, kam disa pyetje për znj. Kajana:1) A i ka marrë informacionet Prokurorja Kajana, mbi të cilën ka dalë urdhëri nr. 16, datë 18 dhjetor 2020 i Barjam Begajt?2) Çfarë informacioni ka dërguar komandanti i bazës detare Shëngjin për moszbatimin e udhrit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA nr. 16, datë 18 dhjetor 2020? 3) Çfarë veprimesh kanë ndërmarrë komandanti i Forcës Detare, komandanti i Policisë Ushtarake dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA pas informacionit të komandantit të bazës së Shëngjinit të datës 20 dhjetor 2020? 4) Përse u shkarkua pas 5 ditësh komandanti i bazës detare Shëngjin? 5) Çfarë dokumentesh ka dorëzuar në SPAK komandanti i shkarkuar i bazës detare Shëngjin? 6) Moszbatimi i urdhrit nga drejtuesit ushtarak, sipas nenit 47 të Kodit Penal Ushtarak, përbën vepër penale.
Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj nuk hetojë apo kallëzojë penalisht asnjë komandant që nuk kishte zbatuar urdhrin e tij, por bashkë me Ministrin e Mbrojtjes shkarkoi nga detyra, Komandantin e Bazës, pikërisht atë që kërkonte zbatimin e urdhrit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. 7) Pse urdhri i Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi i datës 6 mars 2021 u zbatua (godina në katin e katërt) dhe urdhëri nr. 16, datë 18 dhjetor 2020 i Bajram Begaj nuk u zbatua (godina në themele); 8) Ndërtimi i godinës është bërë në një pronë që gjendej në Planin e Përhapjes dhe Veprimit të FA.
Me ligj (Ligji për Pushtetet dhe Autoritetet) përgjegjës për gatishmërinë e FA është Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA. Çfarë përgjegjësie ka Bajram Begaj? Nxjerrja formale, moskërkesa për zbatim, mosmarrja e masave për zbatimin e urdhrit dhe moskallëzimi penal i personelit që nuk zbatojë urdhrin e datës 18 dhjetor 2020, të Bajram Begajt, solli ndërtimin e godinës dhe pasojat në operacionalitetin e Forcës Detare. Është e qartë se jemi në kushtet e shpërdorimit të detyrës, pasi me mosveprim, Bajram Begaj, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA ka sjellë pasoja për gatishmërinë FD dhe përfitim të jashtligjshme për një palë të tretë. Prokurorja Kajana duke përjashtuar Bajram Begajn nga hetimi, pas 5 vitesh hetim paraprak, ka krijuar kushtet ligjore për moskopetencë të këtij hetimi nga SPAK.









































