Në radhët e Mançester Junajtid po ndodhin ndryshime radikale. Kështu, referuar mediave sportive britanike, Mançester Junajtid ka konfirmuar emërimin e Mauricio Poketinos në pozitën e trajnerit të ekipit të parë, me argjentinasin që do ta marrë drejtimin e skuadrës nga 18 nëntori. Klubi anglez ka arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të SHBA-së, në mënyrë që Poketino dhe stafi i tij të lirohen nga detyrimet me përfaqësuesen amerikane dhe t’i bashkohen menjëherë projektit të ri në “Old Trafford”. Poketino njihet për stilin ofensiv dhe intensiv të lojës, si dhe për aftësinë e tij në zhvillimin e futbollistëve dhe ndërtimin e skuadrave konkurruese. Trajneri 54-vjeçar ka përvojë të madhe në futbollin evropian.
Ai e nisi karrierën si trajner te Espanjoli në vitin 2009, për të vazhduar më pas te Sauthempton, ku në vitin 2014 arriti numrin rekord të pikëve të klubit në Premierligë. Periudhën më të rëndësishme në Angli e pati te Totenhem Hotspur, ku qëndroi për pesë sezone të plota. Me londinezët siguroi katër kualifikime radhazi në Ligën e Kampionëve dhe i dërgoi deri në finalen e vitit 2019. Në vitin 2021 mori drejtimin e Paris San Zhermenin, me të cilin fitoi titullin e Ligue 1, Kupën e Francës dhe Superkupën e Francës. Pas aventurës në Paris, ai drejtoi edhe Çelsin në vitin 2023, ndërsa së fundmi ishte përzgjedhës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat arriti deri në 1/8 e finales së Kupës së Botës.
Tashmë, Poketinon i besohet detyra për ta rikthyer Mançester Junajtid në mesin e skuadrave konkurruese për trofe në Angli dhe Evropë. Ndërkohë, e ardhmja e Erling Haland te Mançester Siti është e panjohur pas 114 akuzave administrative kundër ‘qytetarëve’. Pas këtij rasti, Pol Skolls foli në podcast-in për të ardhmen e norvegjezit. Për ish-mesfushorin e Mançester Junajtid, golashënuesi aktual më i mirë në Premier League mund të përfundojë duke luajtur për Barcelonën nëse ekipi anglez bie nga kategoria.
Ai u pyet për të ardhmen e Haland dhe përgjigja e Skolls ishte kategorike. “Barcelona. Edhe pse duket si një lojtar i Real Madridit. E imagjinoj atë në mënyrë perfekte me fanellën e Real Madridit, por ai do të shkojë te Barça”, parashikoi anglezi për të ardhmen e Haland, i cili rinovoi kontratën në janar 2025 me Mançester Sitin për dhjetë sezone, deri në qershor 2034. Megjithëse nuk është publike një klauzolë largimi, dyshimet për një rënie të Sitit mund të hapin dyert e norvegjezit për një klub tjetër.









































