Google search engine
Home Sport Shqipëria e para e grupit, por ka ankth për vazon e tretë...

Shqipëria e para e grupit, por ka ankth për vazon e tretë të Europianit të ardhshëm

0
6

Një takim para fundit të edicionit në Ligën e Kombeve dhe Shqipëria, sipas objektivit, duhet ta mbyllë në vend të parë dhe ecuria e deritanishme është bindëse. Tashmë mjafton dhe një pikë për ta mbyllur si e para e grupit. Por kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren. Mbrëmja e fitores 2-0 ndaj Finlandës në “Air Albania” solli emocione në fushë dhe në tribuna, por edhe disa detaje që nuk kaluan pa u vënë re.

Nga hapësirat bosh në stadium dhe gjendja e tapetit të blertë, te koreografitë e tifozëve dhe ceremonia e falënderimit për Armando Sadikun, atmosfera kishte disa momente të veçanta. Në fokus ishin edhe zhvillimet sportive, me kartonin e verdhë që i kushton Ylber Ramadanit sfidën ndaj Bjellorusisë dhe arritjet statistikore të Rei Manajt e Berat Gjimshitit. Në fund, kuqezinjtë festuan së bashku me tifozët, duke i dhënë një tjetër ngjyrim triumfit të rëndësishëm.

Ankthi për vazon e tretë

Simulimet e “Football Meets Data” i japin Shqipërisë 65.6% mundësi për të qenë në vazon e tretë, por rreziku i përfundimit në vazon e katërt mbetet real. Sfida e së dielës mund të ndikojë edhe në pozicionimin e kuqezinjve për shortin e kualifikueseve të EURO 2028. Shqipëria nuk e ka siguruar ende vendin në vazon e tretë për shortin e kualifikueseve të EURO 2028.

Edhe pse situata është përmirësuar ndjeshëm në llogaritjet e fundit, kuqezinjtë vazhdojnë të jenë në një garë të hapur, ku rezultatet e radhës mund të ndikojnë në pozicionimin përfundimtar. Simulimet e publikuara nga Football Meets Data më 12 nëntor i japin Shqipërisë 65.6% mundësi për të qenë në vazon e tretë dhe 34.4% për të përfunduar në vazon e katërt. Një përmirësim prej 13 pikësh krahasuar me përllogaritjet e mëparshme, por ende jo një garanci për pozicionimin mes 36 skuadrave të para.

Vëmendja është edhe te Bjellorusia, rivalja e drejtpërdrejtë e Shqipërisë në këtë garë. Sipas të njëjtave simulime, bjellorusët kanë 34.4% mundësi për vazon e tretë dhe 65.6% për vazon e katërt. Kjo e bën edhe më interesante përballjen e së dielës ndaj Bjellorusisë.

Situata me vazot

Në vazon e parë, tetë skuadra e kanë siguruar tashmë pozicionin: Portugalia, Spanja, Anglia, Franca, Holanda, Italia, Greqia dhe Belgjika. Danimarka dhe Gjermania janë shumë pranë tyre, me përkatësisht 98% dhe 97.6% mundësi. Në vazon e dytë, vetëm Turqia dhe Zvicra janë të sigurta. Suedia, Austria dhe Bosnjë-Hercegovina janë shumë pranë këtij objektivi, ndërsa një duel i fortë zhvillohet mes Irlandës dhe Kosovës për pozicionimin në vazon e dytë ose të tretë.

Në vazon e tretë, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë të siguruara. Shqipëria, Bjellorusia, Sllovakia, Islanda dhe Gjeorgjia janë ndër përfaqësueset që presin të mësojnë pozicionimin përfundimtar. Ndërkohë, në vazon e katërt janë të sigurta shtatë përfaqësuese: Qipro, Finlanda, Moldavia, Armenia, Kazakistani, Letonia dhe San Marino. Shqipëria dhe Bjellorusia janë ende mes skuadrave që mund të përfundojnë në këtë vazo. Vazon e pestë e kanë siguruar tashmë Malta, Azerbajxhani, Lituania, Gjibraltari, Andorra dhe Lihtenshtejni. Për Shqipërinë, objektivi është të ruajë pozicionin në vazon e tretë dhe të shmangë zbritjen në vazon e katërt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here