Portieri i përfaqësueses, Etrit Berisha, u rikthye dhe një herë tjetër në gjirin e ekipit, pas kartonit që mori në duelin me Finlandën në takimin e parë, karton që ndikoi në humbjen e skuadrës tonë. Gardiani kuqezi ka folur në prag të duelit me finlandezët, duke thënës se atë episod të parë të ndodhur në Helsinki nuk duhej ta kujtonim, por të fokusohemi në ndeshjen e radhës. I pyetur nëse dueli i së enjtes do të ishte një revansh i kërkuar, portieri kuqezi tha se nuk duhet parë në këtë formë. “Jo, nuk do ta quaja revansh. Çdo ndeshje, besoj, ka historikun e vet dhe ne duhet të fokusohemi te objektivi që kemi. Sot do të bëhet stërvitja e parë dhe, gjithsesi, dua t’i ftoj tifozët që të vijnë të na përkrahin në këtë seancë. Dyert do të jenë të hapura për të gjithë, pasi për ne është shumë e rëndësishme t’i kemi tifozët pranë. Objektivi ynë, gjithsesi, është ta fitojmë këtë ndeshje dhe të shkojmë përpara, duke ruajtur vendin e parë”, nënvizoi ai.
Takimi i parë me finlandezët
Për Berishën gjërat që ndodhën nuk mund të kthehen më prapa. “Gjërat që kanë ndodhur nuk mund të kthehen mbrapa. Gjithsesi, ishte një moment që ndryshoi edhe rrjedhën e lojës. Ishte ndoshta edhe një fatkeqësi, pasi pas një gabimi fillon edhe një seri ngjarjesh, domethënë pësimi i golit dhe gjithçka tjetër u bë më e vështirë. Mirëpo, besoj se e kemi kaluar atë moment dhe tani duhet të fokusohemi te ndeshjet e radhës. Gjithçka e kemi në dorën tonë. Mendoj se ekipi do të paraqitet mirë, pasi dëshira është shumë e madhe, si nga ana e ekipit, ashtu edhe e tifozëve, për të marrë maksimumin. Dua të shtoj edhe pjesën e ndeshjes me San Marinon dhe të vlerësoj tifozët që ishin dhe na përkrahën. Mendojmë të bëjmë edhe më mirë sesa herën e kaluar dhe të fitojmë ndeshjen”, nënvizoi ai. Më tej komentoi kartonin e kuq. “Sa i përket atij momentit të kartonit të kuq, ishte ndoshta një ndryshim mendjeje në momentin e fundit, kur u vendos për pasimin. U nisa ta vazhdoja aksionin në të djathtë dhe pastaj ndryshova mendim në momentin e fundit. Kur e mori topin lojtari kundërshtar, më pas pashë mundësinë për ta kapur përsëri topin. Gjithsesi, në momentin e fundit mendoj se nuk pata ndonjë kontakt, por lojtari kundërshtar arriti ta shfrytëzonte momentin”, theksoi Berisha.
Forma e mirë sportive
Berisha komentoi edhe formën e tij sportive dhe objektivat me ekipin. “Ka qenë një moment shumë i mirë, të cilin e kam përjetuar gjatë këtij muaji apo muajit e gjysmë të fundit. Gjithsesi, dua ta vazhdoj këtë formë edhe me Kombëtaren. Në ndeshjen e parë me Kombëtaren nuk pësova gol, ndonëse luajta vetëm 20 minuta. Por, gjithsesi, për ne është shumë e rëndësishme kjo ndeshje. Shpresoj ta shfrytëzoj edhe formën time dhe gjithçka që mund të jap, për të bërë një paraqitje dinjitoze. Ne kemi lojtarë më cilësorë. Kemi lojtarë që luajnë ose kanë luajtur në kampionate të rëndësishme, lojtarë me eksperiencë. Megjithatë, nuk duhet në asnjë mënyrë të nënvlerësojmë Finlandën. E kemi parë edhe në ndeshjen e fundit dhe mendoj se kemi marrë një mësim shumë të mirë. Edhe ndeshja me San Marinon na tregoi se nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Aq më pak Finlandën, që ka lojtarë të mirë”, shtoi portieri kuqezi.








































