Krahas Etrit Berishës, dje doli në konferencë për shtyp edhe mesfushori Julian Shehu, i cili shpalosi qëndrimin e skuadrës në prag të duelit të 12 nëntorit kundër Finlandës, në kuadër të ndeshjes së parafundit në grup në Ligën e Kombeve, takim që do të zhvillohet në “Air Albania” në Tiranë. Mesfushori Julian Shehu vlerësoi ecurinë e deritanishme të Kombëtares, duke u shprehur besimplotë se skuadra do të arrijë të marrë maksimumin në dy sfidat e fundit të vitit 2026. “Unë besoj se mënyra se si po luan ekipi tani, me një lojë pak më ofensive dhe pak më agresive përpara, ka dhënë frytet e veta. Është e rëndësishme që ne të ndihemi mirë në fushë, të respektojmë dhe të zbatojmë detyrat që kërkon trajneri.
Përderisa rezultatet janë ato që trajneri kërkon, pa dyshim që çdo gjë është në rregull. Unë besoj se çdo ndeshje ka vështirësinë e vet dhe patjetër që ne duhet të japim maksimumin dhe ta përgatisim atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Presioni është pjesë e lojës, kështu që ne jemi profesionistë dhe duhet të dimë se si ta përballojmë. Duhet të jemi të përqendruar te loja, ta përgatisim atë në mënyrën më të mirë dhe të shkojmë atje për të zhvilluar një ndeshje që të na japë rezultatin maksimal. Patjetër që objektivi ynë është të qëndrojmë në vendin e parë në grup, të ruajmë kryesimin dhe besoj se deri në fund do t’ia dalim”, theksoi ai.
Mbështetja e tifozëve dhe objektivi për fitore
Mesfushori kuqezi, Julian Shehu, beson se mbështetja e madhe e tifozëve do të sjellë fitoren e skuadrës tonë dhe ai e sheh si një shtysë për rezultat maksimal në fushë. “I vetmi ndryshim është që këtë herë luajmë në shtëpi dhe, pa tjetër, mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne. Besoj se kjo do të jetë një shtysë akoma më e madhe që ne të marrim maksimumin nga kjo ndeshje. Unë besoj se detyrat për mesfushorët nuk janë aq specifike. Besoj se tani detyrat kanë ndryshuar pak për të gjithë ekipin. Siç e dimë të gjithë, mundohemi të bëjmë presion sa më lart dhe të jemi një ekip pak më agresiv. Kështu që nuk ka disa detyra specifike vetëm për ne mesfushorët. Besoj se gjendja e ekipit është shumë e mirë dhe patjetër që jemi gati të japim maksimumin tonë dhe të marrim maksimumin e pikëve në këto dy ndeshje””, theksoi më tej ai.
Pozitat e lojtarit me trajnerin Maran
Më tej Julian Shehu foli për raportin e tij me trajnerin Rolando Maran dhe minutazhin jo aq të konsiderueshëm që ka marrë për ndeshjet në Ligën e Kombeve. “Këto janë zgjedhje që bën trajneri dhe ne, si lojtarë, patjetër që i respektojmë. Për aq kohë dhe minutazh sa na jepet mundësia, ne duhet të japim maksimumin, sepse në fund të fundit jemi këtu për ekipin kombëtar, nuk jemi këtu për objektivat tona personale, që të luajmë sa më shumë apo të kemi sa më shumë minuta. Sa herë që të jemi në fushë, besoj se duhet të japim maksimumin. Unë jam një prej atyre që, sido dhe sa herë që të më jepet mundësia, do të jap gjithmonë maksimumin për ekipin kombëtar”, përfundoi Shehu. Mbetet të shihet se në çfarë pozicioni do ta aktivizojë trajneri Maran futbollistin në këtë ndeshje. Por forma e tij është e mirë.








































