Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit rikthehet në Tiranë për edicionin e tij të pestë, duke sjellë nga 3 deri më 21 tetor një program artistik në skena tradicionale dhe hapësira të ndryshme të kryeqytetit. Me drejtues artistik koreografin me origjinë shqiptare Angelin Preljocaj, festivali do të prezantojë 17 shfaqje në 9 hapësira të ndryshme të kryeqytetit.
Në një postim në rrjete sociale ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, veçoi programin e këtij edicioni, pjesëmarrjen e artistëve ndërkombëtarë dhe bashkëpunimet artistike. “TKOBAP zë një vend të rëndësishëm edhe në këtë edicion, duke mirëpritur gjashtë mbrëmje artistike dhe duke sjellë një bashkëprodhim e parë historik me Baletin e Kosovës.
Me 17 shfaqje në 9 hapësira, festivali forcon bashkëpunimin artistik dhe dialogun kulturor, duke e afruar artin me publikun dhe duke afirmuar Tiranën si një hapësirë të hapur për krijimtarinë ndërkombëtare”, shprehet Gonxhja ndër të tjera. Programi i festivalit përfshin balet, teatër performativ, performanca në hapësira të jashtme, një vepër për fëmijë, repertor klasik, si dhe krijime të reja nga koreografë të njohur të kërcimit bashkëkohor.
Shfaqja “Neighbours / from Motherland” hap edicionin e pestë të “International Dance Festival Tirana” këtë mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, me koreografi të Brigel Gjokës dhe Rauf “RubberLegz” Yasit, e cila do të vijojë dhe më 4 tetor në këtë skenë. Shfaqja vjen premierë si një bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Baletit Kombëtar të Kosovës. Bashkëprodhimi sjell në skenë 10 balerinë nga Shqipëria dhe Kosova. Pas premierës në Tiranë, shfaqja do të udhëtojë drejt Prishtinës.









































