Gërmimet arkeologjike në fshatin Qesarat të Bashkisë Memaliaj kanë sjellë zbulime të reja të periudhës së antikitetit, mes tyre mozaikë, duke përforcuar gjetjet e viteve të mëparshme dhe bindjen se kjo zonë përbën një pasuri të rëndësishme arkeologjike.
Në zonën ku po kryhen gërmimet janë evidentuar gjurmë të një kompleksi të gjerë ndërtimor, që mendohet se i përket shekullit III dhe periudhës romake. Arkeologët kanë nxjerrë në pah disa sipërfaqe dyshemeje të zbukuruara me kompozime gjeometrike dhe figura njerëzore, ndërsa janë gjetur edhe fragmente të pikturave murale.
Një mozaik tjetër ishte evidentuar rastësisht që në vitet ’80, kur zona po përgatitej për tokë bujqësore. Pas zbulimit, ai u mbulua dhe gjurmët dokumentuese për të mbetën të kufizuara, pa fotografi dhe pa të dhëna të sakta që të përcaktonin vendndodhjen. Arkeologu Eduard Shehi e vlerëson luginën e Vjosës si një zonë me rëndësi të veçantë arkeologjike, duke theksuar nevojën për një administrim të qëndrueshëm të territorit, me synim që këto pasuri të mund të vizitohen nga publiku. “Në një situatë të tillë merr rëndësi ideja se sa mund të vazhdohet me mundësinë e një parku arkeologjik në këtë territor, për të shtuar zbulimet e reja”, thotë Shehi.
Nga ana tjetër, arkeologu italian Silvio Fiorrelli thotë se dëshmitë e mbledhura deri tani sugjerojnë praninë e një vendbanimi romak me përmasa të konsiderueshme. Gërmimet në Qesarat janë aktualisht të përqendruara vetëm në një sektor, por zbulimet e viteve të mëparshme, të evidentuara në hapësira të ndryshme, tregojnë se shtrirja e vendbanimit mund të jetë shumë më e madhe. Ekspedita arkeologjike shqiptaro-italiane po zhvillohet nga Instituti i Arkeologjisë, në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro” të Barit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë.











































