Google search engine
Home Kulture TKOB kujton tenorin Ibrahim Tukiçi në 100-vjetorin e lindjes

TKOB kujton tenorin Ibrahim Tukiçi në 100-vjetorin e lindjes

0
12

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kujtoi 100-vjetorin e lindjes së tenorit shqiptar Ibrahim Tukiçi, duke vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin e muzikës operistike dhe ruajtjen e traditës muzikore shqiptare. Teatri ndalet te rrugëtimi i tij artistik, nga skena operistike te interpretimi i këngës tradicionale shqiptare. “Historia e muzikës shqiptare është shkruar edhe përmes zërave që kanë ditur t’i japin artit një identitet të veçantë. Mes tyre, Ibrahim Tukiçi zë një vend të pazëvendësueshëm.

Në 100-vjetorin e lindjes së tij, kujtojmë një artist që e shndërroi interpretimin në një formë të rrallë komunikimi me publikun, duke kaluar natyrshëm nga skena operistike te kënga tradicionale shqiptare. Për dekada me radhë, ai ishte pjesë e zhvillimit artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit, duke i dhënë jetë personazheve të repertorit botëror dhe veprave të para të operistikës shqiptare. Paralelisht, përmes veprimtarisë së tij në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, kontribuoi në ruajtjen dhe përcjelljen e një pasurie të jashtëzakonshme muzikore”, shprehej TKOB të shtunën.

Më tej TKOB  shpreht se Ibrahim Tukiçi i përkiste atij brezi artistësh për të cilët skena nuk ishte thjesht një profesion, por një mision kulturor. “Një shekull pas lindjes së tij, emri i Ibrahim Tukiçit mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e institucioneve tona artistike dhe me kujtesën muzikore të shqiptarëve”, thuhet nga teatri. Ibrahim Tukiçi (1926-2004) ishte një nga figurat më të shquara të artit muzikor shqiptar, një tenor lirik që la gjurmë të thella në skenën operistike dhe në interpretimin e muzikës popullore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here