Intriga, maska dhe identitete të fshehura krijojnë një rrëfim plot humor e situata të papritura, të shoqëruara nga tingujt karakteristikë të valsit vjenez të Johann Strauss II. Nën regjinë dhe koreografinë e Renato Zanella-s dhe dirigjimin e Gridi Krajës, artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të sjellin këtë nëntor operetën “Die Fledermaus”, ku eleganca e valsit, humori, intrigat dhe maskat rikthehen në skenën operistike. Kjo vepër e njohur e repertorit botëror mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë muzikore dhe vazhdon të jetë pjesë e jetës artistike në skenat ndërkombëtare. Përmes kësaj shfaqjeje, publikut i jepet mundësia të shijojë një ndërthurje të muzikës, teatrit dhe baletit, në një atmosferë plot gjallëri dhe elegancë.
Opereta e famshme e Johann Strauss II do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në mbrëmjet e datave 20 dhe 21 nëntor. Në skenë solistë janë: Nina Muho, Denis Skura, Rovena Xhelili, Solen Alla, Amelda Papa, Gerald Murrja, Erlind Zeraliu, Gilmond Miftari, Greis Shametaj, Genc Vozga. Dirigjent kori Dritan Lumshi, skenografia Bashkim Zahaj, kostumografe Enada At ‘Nikolla, koncertmaestër produksioni Igli Rapaj, koncertmaestër kori Ingrid Pulizo. Opereta “Die Fledermaus” (Lakuriqi i natës) nga Johann Strauss II është mjaft e njohur në skenat e botës, por nuk ka munguar dhe më parë në skenën operistike shqiptare. Libreti i operetës “Lakuriqi i natës” është shkruar nga Karl Haffner dhe Richard Genée.
Opereta në programin artistik të nëntorit
Opereta “Die Fledermaus” është gjithashtu pjesë e kalendarit artistik të nëntorit në TKOB, duke sjellë për publikun një vepër të njohur të repertorit operistik botëror. Kjo vepër i shton programit artistik një tjetër produksion, që ndërthur muzikën, interpretimin skenik dhe koreografinë. Gjatë nëntorit artistët e TKOB ishin më herët me shfaqjen e baletit “La Sylphide” në qytetin në Vlorës, ku gjatë tetorit ishin dhe në skenën e teatrit të qytetit të Korçës. Baleti me muzikë nga Herman Severin Løvenskiold është vënë dhe më parë në skenën e TKOB, por këtë sezon artistik në vijim të programit vepra u shfaq dhe në skena të qyteteve të tjera për publikun.
Më parë në 5 nëntor në skenën u shfaq dhe “Minus 303”, një krijim nga was bleibt kollektiv | Gentian Doda. Nën regjinë dhe koreografinë e Gentian Dodës, shfaqja solli një përvojë të fuqishme artistike, ku lëvizja, muzika live dhe interpretimi u ndërthurën në një gjuhë të përbashkët skenike. “Minus 303” është një produksion i Tek Bunkeri dhe was bleibt kollektiv | Gentian Doda, në partneritet me Heinrich Böll Stiftung – Tirana Office dhe TKOB. Ndërsa në 11 nëntor në TKOB nisi festivali “Netët e muzikës shqiptare”, duke sjellë këtë sezon artistik krijime të reja të muzikës shqiptare. Në vijim programi në TKOB do të ketë të tjera koncerte këtë nëntor.








































