Nga Julia Vrapi
Muzika, humori, intrigat dhe eleganca e valsit vjenez vijnë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me operetën e famshme “Die Fledermaus” të Johann Strauss II. Vepra ndërthur humorin, elegancën dhe groteskun, duke sjellë një histori të mbushur me festa, luks, mashtrime, keqkuptime dhe situata komike në shoqërinë vjeneze të shekullit XIX. Në qendër të rrëfimit janë marrëdhëniet, tradhtitë, identitetet e fshehura dhe dëshira për t’u ngjitur në hierarkinë shoqërore. Përmes këtyre situatave, vepra e Strauss mbetet aktuale dhe e afërt me publikun edhe sot. Shfaqja në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit sjell një ndërthurje të operës, baletit dhe teatrit dhe do të shfaqet në mbrëmjet e 25, 26 dhe 27 shtatorit.
Opereta e famshme e Johann Strauss II rikthehet këtë shtator nën regjinë dhe koreografinë e Renato Zanellës dhe dirigjimin e Andrea Solinas. Një histori ku maskat bien, sekretet zbulohen dhe asgjë nuk është ashtu siç duket, në një produksion që sjell elegancën dhe humorin e operetës së Strauss.
Në skenë janë solistë: Nina Muho, Renisa Laçka, Denis Skura, Rovena Xhelili, Artur Vera, Solen Alla, Amelda Papa, Matias Xhelili, Gerald Murrja, Erlind Zeraliu, Gilmond Miftari, Viola Bakiasi, Greis Shametaj, Genc Vozga. Ass. koreografe Alisa Gjoni, dirigjent kori Dritan Lumshi, skenografia Bashkim Zahaj, kostumografe Enada At ‘Nikolla, koncertmaestër produksioni Etrita Ibrahimi, Igli Rapaj, koncertmaestër kori Ingrid Pulizo. “Die Fledermaus”, e njohur në shqip si “Lakuriqi i natës”, është një nga operetat më të njohura të Johann Strauss II dhe vijon të jetë pjesë e repertorit ndërkombëtar. Me ritmet e valsit, humorin dhe situatat e shumta komike, vepra ndërthur muzikën me teatrin dhe vazhdon të jetë një nga krijimet më të dashura të Strauss.
Opereta nga Johann Straus II
Opereta “Die Fledermaus” (Lakuriqi i Natës) nga Johann Strauss II është mjaft e njohur në skenat e botës, por dhe në skenën shqiptare ka shënuar më parë suksesin e saj. “Lakuriqi i natës” është kompozuar nga Strauss, ndërsa libreti është shkruar nga Karl Haffner dhe Richard Genée.
Johann Strauss II ka shkruar afro 500 kompozime të muzikës së vallëzimit, si valse, polka, kadrila, galope, etj. Me forcën e madhe të talentit të tij, shpërtheu në valset, të cilat janë plot melodi, freski dhe origjinalitet. Ato shquhen për ritmin e tyre, duke mos lënë pas edhe orkestracionin shumë tingëllues. Ai ka kompozuar 15 opereta, një opera komike dhe një balet, duke u cilësuar mjeshtër operetash. Johann Strauss II mbetet një nga figurat më të rëndësishme të muzikës vjeneze, ndërsa veprat e tij vazhdojnë të interpretohen në skenat më të njohura të botës.











































