Propofoli, një medikament i fuqishëm anestetik, dyshohet se ka qenë shkaktari kryesor i vdekjes së këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis. Ky është përfundimi që, sipas raportimeve të mediave greke, përmban raporti 30-faqësh i Laboratorit të Mjekësisë Ligjore dhe Toksikologjisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut.
Sipas mediave greke, në organizmin e këngëtarit janë identifikuar edhe tetë substanca të tjera, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore dhe kanë kontribuar në përfundimin fatal.
Mostrat e marra nga trupi i këngëtarit ishin dërguar në fillim të muajit tetor në laboratorin e Universitetit Aristoteli të Selanikut. Profesori Nikolaos Raikos dhe ekipi i tij kryen analiza të njëpasnjëshme për të identifikuar të gjitha substancat e pranishme në organizëm, si dhe për të përcaktuar sasitë e tyre.
Raporti pritet t’i përcillet Shërbimit të Mjekësisë Ligjore në Athinë dhe më pas hetuesit që po ndjek çështjen.
Një tjetër element i rëndësishëm që përmendet në raport lidhet me momentet gjatë procedurës së plazmaferezës. Sipas informacioneve të publikuara, pas administrimit të propofolit, Mazonakis pësoi një episod apneje, pra ndërprerje të frymëmarrjes.
Sipas të njëjtave burime, nëse klinika do të kishte pasur mundësinë dhe pajisjet e nevojshme për t’i siguruar oksigjen pacientit në atë moment, këngëtari mund të ishte shpëtuar.
Raporti përfshin gjithashtu referenca nga literatura shkencore për raste të ngjashme, me qëllim shpjegimin e mënyrës se si propofoli dhe tetë substancat e tjera mund të kenë vepruar në organizëm, veçmas dhe në kombinim.
Sipas dokumenteve dhe informacioneve të publikuara më herët nga Protothema.gr, aparatura e përdorur për procedurën e plazmaferezës kishte nisur punën në orën 14:14.
Rreth gjysmë ore më vonë, në orën 15:15, alarmet e pajisjes kishin sinjalizuar dy deri në tri herë probleme gjatë procedurës.
Sipas të njëjtave të dhëna, aparatura kishte ndaluar së funksionuari në intervalin kohor 15:23–15:27, në një moment kur gjendja e këngëtarit ishte përkeqësuar rëndë. Në klinikë ndodhej edhe mjeku Elias Theodoropoulos.
Ndërkohë, shërbimi i emergjencës EKAB u thirr rreth një orë më vonë. Mazonakis u transportua në spitalin Elpis, ku u konfirmua vdekja e tij më 9 shtator, në moshën 54-vjeçare.
Në lidhje me këtë ngjarje, dy mjekët që drejtonin klinikën në rrugën Karneadou, në zonën e Kolonakit, Ioanna Gaka dhe bashkëshorti i saj Elias Theodoropoulos, janë lënë në paraburgim.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të vdekjes së këngëtarit, ndërsa raporti toksikologjik pritet të jetë një nga provat kryesore në dosjen hetimore.










































