Nga Julia VRAPI
“Zoti /Gott” sjell në skenë një debat që shkon përtej teatrit, duke e vendosur publikun përballë pyetjes se ku përfundon e drejta e shoqërisë dhe ku fillon e drejta e individit.
Shfaqja e re, me autor Ferdinand von Schirach dhe regji të Norbert Rakowskit, trajton çështjen e eutanazisë përmes një përballjeje mes argumenteve juridike, etike, mjekësore dhe fetare.
Procesi i realizimit të saj ka nisur si një bashkëprodhim teatror i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatrit të Gjilanit, duke sjellë së bashku artistë nga Shqipëria dhe Kosova.
Sipas Teatrit Kombëtar Eksperimental është një projekt që synon jo vetëm skenën, por edhe debat publik.
“Në qendër të veprës është një nga debatet më të ndjeshme dhe më kundërthënëse të kohës sonë: eutanazia dhe e drejta e njeriut për të vendosur për veten. Përmes një përballjeje mes argumenteve juridike, etike, mjekësore dhe fetare, “Zoti / Gott” e vendos publikun përballë një pyetjeje të vështirë: ku përfundon e drejta e shoqërisë për të vendosur dhe ku fillon liria personale?”, thuhet nga Teatri Kombëtar Eksperimental.
Por ndërsa kjo vepër do të vijë në skenë si një nga projektet e reja teatrore, më herët në muajin korrik Teatri Kombëtar Eksperimental“Kujtim Spahivogli” në Tiranë hapi thirrjen për audicion për aktorë në shfaqjen “Zoti / Gott”, me autor Ferdinand von Schirach dhe regji të Norbert Rakowskit.
Tashmë, puna për realizimin e shfaqjes ka nisur, ndërsa ajo do të jetë një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatrit të Gjilanit.
Shfaqja, pjesë e sezonit të ri artistik
Premiera teatrore, prezantime në festivale dhe shfaqje të tjera vijnë në sezonin e ri artistik 2026-2027 të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” që nis në shtator, ku pjesë e programit do të jetë edhe shfaqja “Zoti / Gott” në kastin e së cilës do të jenë edhe aktorë të njohur të skenës shqiptare.
Regjisor i shfaqjes “Zoti / Gott” është polaku Norbert Rakowski. Në korrik të vitit 1999, ai debutoi si regjisor teatri me produksionin e tij “Suddenly”, në Teatrin Studio në Varshavë, ndërsa në shkurt të vitit 2001 vuri në skenë shfaqjen e tij të diplomës “Solitaire”, të Robert Anderson, në Teatrin Współczesny në Varshavë.
Që atëherë, Rakowski ka realizuar më shumë se 30 shfaqje.
Ferdinand von Schirach është avokat dhe shkrimtar gjerman. Ai lindi në vitin 1964 në Mynih, Gjermani. Von Schirach u bë avokat në vitin 1994, duke u specializuar në të drejtën penale.
Librat e tij janë përkthyer në më shumë se 35 gjuhë dhe janë shitur në miliona kopje në mbarë botën. Ferdinand von Schirach vazhdon të ushtrojë profesionin e avokatit në fushën e së drejtës penale, ndërsa tregimet e tij shpesh frymëzohen nga përvoja dhe ekspertiza e tij si avokat.



