Google search engine
Home Kulture “Kantata e Kafesë” e Bach-ut, në një mbrëmje ku ndërthuren muzika, teatri...

“Kantata e Kafesë” e Bach-ut, në një mbrëmje ku ndërthuren muzika, teatri dhe humori

0
20

Muzika klasike vjen më pranë publikut shqiptar përmes një prej veprave më të veçanta satirike të Johann Sebastian Bach-ut, “Kantata e Kafesë”. Një mbrëmje artistike në ambient të hapur, ku tingujt e orkestrës, interpretimi i solistëve lirikë dhe drejtimi muzikor i Armand Broshkës ndërthuren me elemente teatrale dhe humorin elegant të kësaj vepre të njohur. E sjellë për herë të parë në gjuhën shqipe, “Kantata e Kafesë” fton publikun të përjetojë një takim mes historisë, muzikës dhe skenës, në një atmosferë të veçantë pranë Liqenit Artificial të Tiranës.

Vepra satirike, është e shkruar nga Bach në Leipzig në vitin 1734 dhe e ndërtuar rreth një historie humoristike mbi varësinë nga kafeja. Kjo mbrëmje e së mërkurës , që sjell tingujt e orkestrës dhe interpretimin e solistëve lirikë, zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, në vijim të aktiviteteve të tjera artistike dhe kulturore që gjallërojnë jetën e kryeqytetit gjatë sezonit veror. Dirigjenti Armand Broshka, i cili është aktiv në jetën koncertore të vendit përmes projekteve të ndryshme të muzikës klasike, rikthehet me një tjetër produksion që ndërthur muzikën, teatrin dhe humorin.

 Kompozitori Johann Sebastian Bach një nga figurat më me ndikim në historinë e muzikës klasike

Kompozitori Johann Sebastian Bach (1685-1750) është një nga figurat më të mëdha dhe më me ndikim në historinë e muzikës klasike. I lindur në Eisenach të Gjermanisë, ai vinte nga një familje e njohur muzikantësh dhe që në moshë të hershme u formua në traditën e pasur të muzikës kishtare dhe instrumentale. Bach ishte kompozitor dhe dirigjent, i njohur për mjeshtërinë e tij të jashtëzakonshme në ndërtimin e veprave muzikore, harmoninë komplekse dhe thellësinë emocionale të krijimeve të tij. Gjatë jetës së tij ai punoi në disa qytete gjermane, ndërsa periudha më e rëndësishme krijuese lidhet me Leipzig-un.

Krijimtaria e tij përfshin qindra vepra, nga muzika fetare si kantatat, pasionet dhe meshat, deri te kompozimet instrumentale për organo, piano, orkestër dhe ansamble dhome. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Pasioni sipas Mateut”, “Koncertet Brandenburgase”, “Variacionet Goldberg” dhe shumë kantata, mes tyre edhe “Kantata e Kafesë”, një vepër satirike e shkruar në vitin 1734 që trajton me humor marrëdhënien e shoqërisë së kohës me kafenë. Krijimtaria e tij vazhdon të frymëzojë kompozitorë, muzikantë dhe publikun në mbarë botën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here