Google search engine
Home Bota «Si rrufe në qiell të pastër»: Presidenti i Izraelit u trondit nga...

«Si rrufe në qiell të pastër»: Presidenti i Izraelit u trondit nga njoftimi i Trumpit për ndërprerjen e ndihmës.

0
7

Presidenti izraelit Isaac Herzog tha se njoftimi i presidentit Donald Trump të martën, ditën e zgjedhjeve afatmesme, për ndërprerjen e ndihmës amerikane për Izraelin i erdhi «si rrufe në qiell të pastër».

Herzogu e ngriti çështjen gjatë një takimi me partinë Yashar, të drejtuar nga Gadi Eisenkot, rivali kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu.

«Çështja e ndihmës amerikane më shqetëson shumë dhe edhe mua më erdhi si rrufe në qiell të pastër. Kemi një memorandum mirëkuptimi me SHBA-në, i cili duhet të jetë në fuqi deri në vitin 2028. Ky është një nga synimet tona kryesore; ndaj duhet të formohet qeveria dhe të mos shkojmë drejt zgjedhjeve të përsëritura», tha ai.

Trump tha se ndihma për Izraelin do të ndërpritej këtë vit, dy vjet përpara përfundimit zyrtar të memorandumit të mirëkuptimit (MoU), sipas të cilit Izraeli merr 3,8 miliardë dollarë në vit për të blerë armatime amerikane.

Megjithatë, në njoftimin e tij, Trump dha pak hollësi. Ai e bëri atë gjatë një interviste telefonike për Fox News, në ditën e zgjedhjeve. Netanyahu nuk ka bërë asnjë koment publik për këtë njoftim.

«Është një argument i dobët, sepse kur thua: “Pse të mos u japim të gjithëve nga 4 miliardë dollarë?”, Izraeli është aleati ynë numër një; i japim më shumë se kujtdo tjetër dhe tani nuk ka më nevojë për këtë ndihmë», i tha Trump Fox News.

Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, tha se po kërkonte sqarime se çfarë do të ndodhte. Në një intervistë për Channel 12 News të Izraelit, ai mbrojti ndihmën ushtarake, e cila është bërë gjithnjë e më jopopullore si në radhët e demokratëve, ashtu edhe te republikanët.

«Amerikanët duhet ta kuptojnë vlerën e kësaj marrëdhënieje», tha ai. «Nuk bëhet fjalë për atë që po japin amerikanët, por për atë që po marrin në këmbim. Ndoshta nuk kemi bërë mjaftueshëm për ta ndihmuar publikun amerikan ta kuptojë dhe ta vlerësojë partneritetin me Izraelin, nga i cili ka përfituar çdo ditë.»

Huckabee nuk u pajtua as me nënpresidentin JD Vance, i cili tha në X se marrëdhënia me Izraelin kishte ndikuar në humbjet e republikanëve në zgjedhjet afatmesme. Huckabee, mbështetës i vendosur i Izraelit, tha: «Nuk mendoj se mbështetja për Izraelin është çështje helmuese për krahun konservator dhe Partinë Republikane.»

Detyrë për Herzgun

Teksa përballet me njoftimin e Trumpit se SHBA-ja do t’ia ndërpresë Izraelit 4 miliardë dollarë ndihmë, Herzog ka përpara edhe një detyrë vendimtare pas zgjedhjeve në vendin e tij.

Pas përfundimit të takimeve të presidentit me partitë e zgjedhura, Eisenkot siguroi mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Knessetit të ardhshëm. Kjo ndodhi pas zgjedhjeve të mbajtura në Izrael në fund të muajit të kaluar. Herzog zhvilloi dy ditë konsultime me përfaqësuesit e të gjitha partive që fituan vende në Knessetin e ardhshëm.

Netanyahu siguroi mbështetjen e vetëm 46 deputetëve, pasi një nga aleatët e tij ultraortodoksë refuzoi ta mbështeste. Kështu, ai mbeti shumë larg shumicës prej 61 vendesh që i nevojitet. Eisenkot siguroi mbështetjen e deputetëve që përfaqësojnë 67 vende, por 19 prej tyre u përkasin partive të drejtuara nga arabët, gjë që e vështirëson rrugën e tij për ta rrëzuar udhëheqësin që ka qëndruar më gjatë në pushtet në Izrael.

Tani Herzogut i takon të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme. Ai tha se vendimin do ta marrë të dielën. «Rezultatet e konsultimeve mund të duken të qarta, por ligji më ngarkon të përcaktoj se kush ka mundësi ta formojë qeverinë, dhe kjo nuk është krejtësisht e qartë», tha ai pas takimit me të gjitha partitë. Në një deklaratë të enjten në mbrëmje, partia e Eisenkotit e bëri të qartë se pret ta marrë mandatin.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here