Komisioni i Disiplinës ka zbardhur vendimet për shkeljet e evidentuara gjatë ndeshjeve të fundjavës në futbollin shqiptar.
Në fokus të masave ndëshkimore janë dy zyrtarë klubesh, të cilët janë pezulluar me nga katër javë, ndërsa në listën e vendimeve përfshihet edhe një gjobë financiare për Dinamon.
Konkretisht, Klaudio Allkja, përfaqësues i Elbasanit, dhe Omer Bunjaku, pjesë e Tiranës, janë dënuar me nga katër javë pezullim. Të dy janë ndëshkuar për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, duke mos i shpëtuar masave të Komisionit të Disiplinës.
Ndërkohë, në shënjestër të vëmendjes së Komisionit ka qenë edhe Vllaznia. Klubit shkodran i është tërhequr vëmendja për përdorimin e stadiumit për zhvillimin e seancave stërvitore në ditët para ndeshjeve.
Vendimet e fundit të Disiplinës prekin kështu disa prej klubeve të futbollit shqiptar, me pezullime dhe masa të tjera ndëshkimore për shkeljet e konstatuara gjatë fundjavës.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës:
1- KF Vllaznia, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së seancave stërvitore në ambientet e Stadiumit “Loro Boriçi”, ku zhvillohen ndeshjet zyrtare, duke shkelur nenin 41 të Rregullores së Aktivitetit, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
2- AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
3- Zyrtari i AF Elbasani, Klaudio Allkja, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
4- Zyrtari i KF Tirana, Omer Bunjaku, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
5- FC Dinamo City, për mosrespektimin e detyrimit për daljen e zyrtarëve në intervistën pas ndeshjes, në kundërshtim me nenin 83 të Rregullores së Aktivitetit, në bazë të neneve 8 dhe 32 të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
6- KF Shiroka për mospërmbushje të detyrimeve dhe përgjegjësive, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve te ndeshjes, në bazë të neneve 17/1 dhe 17/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/b të KDE, gjoba aplikohet në masën 20%.
7- Zyrtari i KF Shiroka, Ergi Axhami, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE, dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
8- KF Këlcyra, për mospërmbushje të detyrimeve dhe përgjegjësive, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të cilët kanë hedhur sende në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 17/1 dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/b të KDE, gjoba aplikohet në masën 20%.
KF Këlcyra, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se, në rast përsëritjeje të sjelles se gabuar te spektatoreve, do të jetë subjekt i masave disiplinore më të rënda, të parashikuara nga Kodi i Disiplinës dhe Etikës.






































