Dinamo City vijon aventurën e saj europiane këtë sezon, duke arritur deri në raundin e tretë paraeliminator të Ligës së Konferencës, ndërkohë që nëse e kalon edhe këtë raund me sukses do të shkojë në “play-off”, një raund pas të cilit vjen faza e grupeve ose siç thuhet faza e ligës. Dje dinamovitët luajtën në transfertë, në Letoni, ku u përballën me skuadrën e Audas. Takimi u zhvillua në stadiumin “Skonto Stadions” të kryeqytetit, Riga. Ishte një ndeshje e vështirë për “nëndetësen”, pasi i mungonin disa lojtarë grupit, por edhe përballë një rivali të vështirë. Dinamo e përballoi mirë presionin në pjesën dërrmuese të ndeshjes, por në mesin e pjesës së dytë e në vazhdim mbeti me një lojtar më pak dhe vendasit gjetën rrugën e rrjetës. Gjithsesi, minutat e para ishin të ashpra në mesfushë, me shumë faulle nga lojtarët e të dyja skuadrave.
Portierit Teqja i doli për detyrë të bëjë disa herë shpëtimtarin e portës së tij, duke dhënë garanci falë pritjeve të tij të guximshme. Qardaku iu afrua ndjeshëm golit në minutën e 11-të, por goditja e tij devijohet nga portieri i Audas. I njëjti lojtar, Qardaku, tenton portën sërish në minutën e 15-të, por sfera përfundon jashtë. Nga minuta e 20-të e në vazhdim Auda e dominoi takimin, duke krijuar raste të shumta në portën e Dinamos, por portieri Teqja e mbajti të paprekur rrjetën në pjesën e parë. Ky fraksion mbyllet 0-0, por në pjesën e dytë vendasit e shtuan shumë presionin në sulm. Megjithatë, në 10 minutat e para të pjesës së dytë ishte Dinamo më kërkuese, ku krijoi disa raste për shënim, por sulmuesve të saj u mungoi finalizimi.
Ndëshkimi nga Auda
Me kalimin e minutave për dinamovitët nisin telashet, që vinin ose nga kartonët e verdhë, ose nga presioni i shtuar i skuadrës vendase. Në minutën e 68-të nga një goditje dënimi e vendasve portieri Teqja bëri mrekullinë duke grushtuar. Por një minutë më pas nuk pati asnjë shans të bënte gjë, pasi Auda realizoi një gol të bukur, duke kaluar vendasit në avantazh. Autori i golit ishte Diedu. Si të mos mjaftonte kjo, Përndreca merr kartonin e dytë të verdhë në minutën e 71-të dhe lë fushën me karton të kuq. Kjo e penalizoi tek mase Dinamon, e cila nuk kishte forcë numerike për të ushtruar presion tek kundërshtari. Vendasit krijojnë rast për shënimin e golit të dytë, por portieri Teqja tregohet në lartësinë e kërkuar. Në këto kushte “nëndetëses” iu desh të mbrohej me kujdes, gjë që e bëri mirë dhe në fund ia doli të mos pësonte gola të tjerë. Kjo ndeshje mbyllet 1-0 për Audan, por javën e ardhshme Dinamo do të ketë shansin e saj, pasi luan në fushën e vet dhe do të tentojë ta përmbysë rezultatin e djeshëm. Edhe më parë Dinamo City i ka dhënë provat se mund ta realizojë këtë mision dhe me një trajner me përvojë në pankinë, sikurse Ilir Daja, gjithçka është e mundur. Rezultati i djeshëm është i ngushtë dhe kualifikimi për më tej mbetet i hapur. Natyrisht, Dinamo do të eksperimentojë edhe me penalltitë në përgatitjet e kësaj jave.







































