Dokumentet dhe komunikimet elektronike të sekuestruara nga SPAK kanë zbuluar rolin e disa personave në ndërtimin dhe investimin e vilës 188/1 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, për të cilën prokuroria dyshon se i përket Belinda Ballukut.
Në qendër të komunikimeve shfaqet Lorela Reçi, vajza e tezes së Ballukut dhe bashkëjetuesja e biznesmenit Arbër Abazi. Sipas dosjes, ajo ka qenë e autorizuar për të ndjekur punimet në vilë dhe ka komunikuar drejtpërdrejt me kompanitë ndërtuese dhe studion e arkitekturës.
Në një dokument të titulluar “Formular-Deklaratë punimesh”, Reçi rezulton se ka marrë përsipër përgjegjësinë për punimet që do të kryheshin nga kontraktorët e përcaktuar prej saj, si dhe për punimet e përfunduara deri në atë moment.
Komunikimet e administruara nga SPAK tregojnë se ajo informohej për ndryshimet në projekt, ndërhyrjet strukturore dhe punimet në pishinë. Në një email të shkurtit 2022, përfaqësues të kompanisë ndërtuese i komunikonin se mund të niste punimet në vilat 187/2 dhe 188/1, pasi ndryshimet ishin miratuar.
Një tjetër email i nëntorit 2022 trajton çështjen e dorëzimit të vilës 188/1. Në të, një punonjëse e kompanisë sqaron se prona ishte marrë në dorëzim nga Lorela Reçi, me autorizim për llogari të porositësit sipas kontratës, Igli Tare.
Për SPAK, këto komunikime janë pjesë e provave që mbështesin dyshimin se Tare nuk ishte përdoruesi real i vilës dhe se Balluku kishte pronësi indirekte mbi të.






































