Një gjykatës federal ka ndaluar për 14 ditë ndërtimin e harkut të Presidentit Donald Trump. Vendimi erdhi pasi të enjten vonë u miratua me votë përfundimtare projekti, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të qytetarëve që shprehën shqetësimet e tyre gjatë një seance publike maratonë.
Komisioni Kombëtar i Planifikimit të Kryeqytetit (NCPC), një nga dy agjencitë federale që mbikëqyrin ndryshimet arkitekturore dhe të projektimit në Uashington, dha miratimin përfundimtar për ndërtimin e monumentit 76 metra të lartë në mbledhjen virtuale të së enjtes. Kjo ndodhi pasi më shumë se 120 qytetarë, shumë prej tyre veteranë, iu drejtuan komisionit me radhë për t’i kërkuar të bllokonte projektin.
Pas më shumë se tetë orësh dëshmi publike, komisioni e miratoi harkun me 8 vota pro dhe 4 kundër, rreth orës 22:29.
Brenda një ore nga miratimi, gjyqtarja federale amerikane Tanya Chutkan, e emëruar nga Obama, e cila po shqyrton një padi të profilit të lartë për ndalimin e ndërtimit, vendosi që administratës — të paditurës në këtë çështje — t’i ndalohej të “niste, kryente ose realizonte në ndonjë mënyrë” çfarëdo “veprimtarie të lidhur me ndërtimin” pranë vendit të propozuar për harkun.
Administrata Trump kishte thënë se mund t’i niste punimet menjëherë pas votimit përfundimtar.
*Protestuesit kundër harkut zhvillojnë një protestë në Memorial Circle, ditën kur Komisioni Kombëtar i Planifikimit të Kryeqytetit u mblodh për të shqyrtuar miratimin e vendndodhjes përfundimtare dhe planeve të ndërtimit për harkun e propozuar nga Presidenti Trump në Uashington, më 5 nëntor. REUTERS/Kevin Lamarque.*
Kundërshtarët e dënuan strukturën si projekt madhështie personale për Trumpin dhe kundërshtuan planifikimin e saj, i cili nuk ishte miratuar nga Kongresi.
Miratimi i komisionit, ku shumica e anëtarëve janë mbështetës të emëruar nga Trump, shënoi hapin e fundit në shtyrjen përpara të njërit prej projekteve kryesore të presidentit për ta riformësuar peizazhin e Uashingtonit sipas dëshirës së tij. Shtëpia e Bardhë kërkon të ecë përpara me projektin para se në janar të marrë detyrën një Kongres i ri, i kontrolluar nga demokratët.
Trumpi ka thënë se synimi është që harku të përfundojë para se ai të largohet nga detyra pas dy vjetësh.
Afati ambicioz ka të ngjarë të vazhdojë të ndërlikohet nga sfidat ligjore, përfshirë një padi të profilit të lartë të ngritur nga veteranë dhe mbrojtës të trashëgimisë historike. Kundërshtarët thonë se përmasat dhe vendndodhja e tij do të prishin pamjen e vargut të monumenteve kombëtare ku përfshihen Memoriali i Linkolnit, Arlington House dhe Memoriali i Robert E. Lee-t. Ata thonë gjithashtu se monumenti i lartë do të cenojë solemnitetin e ceremonive mortore në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.
Sipas tyre, projekti është i paligjshëm sepse nuk ka miratimin e Kongresit. Ata i referohen Aktit për Veprat Përkujtimore, i cili kërkon autorizimin e Kongresit për monumentet e reja në Uashington.
*Michael Lemmon, veteran i Luftës së Vietnamit, thotë se kundërshton ndërtimin e një harku që, sipas tij, do të cenonte solemnitetin e vendprehjes së fundit të shokëve me të cilët luftoi.*
*Michael Lemmon, paditësi kryesor në çështjen gjyqësore për ndalimin e harkut, flet kundër projektit në një protestë.*
*Protestat pranë vendit të propozuar u zhvilluan gjatë gjithë së enjtes. “Ky monstër monumental, i ngritur për të kënaqur egon e një njeriu, nuk respekton asnjë ushtarak të varrosur atje”, tha të enjten në mëngjes në protestë demokrati Don Beyer, distrikti i të cilit përfshin Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Në protestë morën pjesë veteranë dhe kundërshtarë të tjerë të harkut.*
Para mbledhjes, kryetari i komisionit kishte thënë se do të votonte pro projektit, duke e cilësuar atë si një “nismë historike” të Trumpit.
Një nismë personale e presidentit
Harku është vetëm një shembull i përpjekjeve të presidentit për të lënë gjurmë në Uashington. Projektet e ndërtimit dhe rinovimit në kryeqytet, nga Pishina Reflektuese e Memorialit të Linkolnit deri te Qendra Kennedy, kanë zënë një vend të rëndësishëm gjatë mandatit të tij të dytë — projekte që kritikët i kanë quajtur “projekte madhështie personale”.
Megjithatë, të mërkurën, në daljen e tij të parë publike pas humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet e mesmandatit, presidenti festoi përparimin e një tjetër projekti të bujshëm: sallës së ballove të Shtëpisë së Bardhë.
I ulur në Zyrën Ovale në tetor të vitit të kaluar, kur u propozua për herë të parë harku triumfal, Trumpi paraqiti makete të strukturës në disa përmasa. Ajo parashikohet të jetë harku më i madh në botë.
Kur një gazetar e pyeti se për kë ishte harku, Trumpi tregoi veten dhe tha: “Për mua.”
Më vonë, presidenti ka thënë se harku do të përkujtojë 250-vjetorin e vendit, frymën amerikane, ushtrinë amerikane dhe “aftësinë për të realizuar gjëra” të amerikanëve.
Kohët e fundit, ai ka argumentuar se harku, i cili do të vendoset në një rrethrrotullim të ngarkuar pranë lumit Potomac, do të shërbejë si atraksion turistik dhe si kompleks ushtarak për ruajtjen e dronëve dhe municioneve.
Planet përfundimtare të paraqitura të enjten në komisionin e planifikimit nuk përfshinin elementet ushtarake që kishte përmendur Trumpi. Megjithatë, zyrtarët e administratës kanë thënë se ato nuk do të kërkonin ndryshime strukturore dhe mund të përfshiheshin plotësisht në projektin ekzistues.
Administrata ka paraqitur tashmë një plan ambicioz ndërtimi, që parashikon dy turne pune nga 10 orë në ditë, në mënyrë që punimet të kryhen pothuajse pa ndërprerje. Të enjten, Shërbimi i Parqeve Kombëtare, që mbikëqyr projektin në emër të administratës, i tha gjykatës se kompania e ndërtimit që kishte angazhuar kishte bërë shenja rreth vendit pa leje. Shërbimi tha se do t’i ndalte punimet përgatitore pa njoftim paraprak.
Si mund të ndikojë harku i Trumpit në trafikun ajror të Uashingtonit
Duke dëshmuar të enjten kundër harkut në mbledhjen e komisionit, Michael Lemmon, paditësi kryesor në çështjen gjyqësore kundër ndërtimit, vuri në pikëpyetje paanshmërinë e procesit të shqyrtimit. Sipas tij, procesi ishte “i nxituar” dhe kishte një “rezultat të paracaktuar”.
“Jemi dëshmitarë të përjashtimit të qëllimshëm të Kongresit, të shkeljes së përsëritur të rregullave dhe të shpërfilljes së vlerësimeve profesionale, përfshirë ato të Shërbimit të Parqeve Kombëtare, mbi ndikimin negativ në Arlington.”
Demokrati Jared Huffman, i cili pritet të bëhet kryetar i Komitetit të Burimeve Natyrore të Dhomës së Përfaqësuesve, që mbikëqyr çështjet e Shërbimit të Parqeve Kombëtare, tha: “Ky hark do të fyente Amerikën, idealet dhe ligjet tona. Përvjetorin e 250-të të Deklaratës së Pavarësisë duhet ta shënojmë duke mbrojtur të drejtat e popullit amerikan dhe votën e tij të së martës mbrëma, jo duke kënaqur një president që mendon se është mbret.”
Efektet negative
Në një vlerësim të publikuar në gusht, Shërbimi i Parqeve Kombëtare pranoi se harku do të kishte efekte “negative” në deri 42 vende historike. Ndikimet më serioze do të përqendroheshin në gjashtë vende pranë strukturës, mes tyre Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, korridori i Memorialit të Linkolnit dhe Arlington House — një memorial për Robert E. Lee-n, ku ndodhet shtëpia ku ai jetoi para se të drejtonte ushtrinë e Konfederatës.
Sipas raportit, harku do të ndryshonte “vazhdimësinë e projektimit” të peizazheve ikonike të Uashingtonit dhe pamjet e monumenteve përreth. Kur të përfundojë, harku do të shihet nga Kapitoli i SHBA-së, bregu i Georgetown-it dhe Pentagoni, ndër pika të tjera.
Shërbimi i Parqeve Kombëtare tha se i kishte shqyrtuar alternativat, por në fund arriti në përfundimin se harku duhej të qëndronte në vendndodhjen e propozuar, në brigjet e lumit Potomac, sepse projekti “varet në mënyrë të qenësishme nga vendndodhja” dhe nuk mund të vendoset në një vend tjetër pa ndryshuar natyrën e tij.
Ky vlerësim, i njohur si shqyrtimi sipas Seksionit 106, kërkohet nga Ligji Kombëtar për Ruajtjen Historike. Ai kërkon që grupet e pavarura që kanë interes ose ekspertizë në çështjet e ruajtjes historike të lidhura me projektin të japin miratimin e tyre.
Muajin e kaluar, administrata tha se do ta ndërpriste shqyrtimin sipas Seksionit 106, duke përfunduar procesin e konsultimit. Kjo nënkuptonte heqjen dorë nga arritja e një marrëveshjeje dhe i hapte Trumpit rrugën për të anashkaluar një pengesë të rëndësishme në procesin e miratimit të ndërtimit. Brenda gjysmë ore nga miratimi i NCPC-së, Departamenti i Brendshëm, që mbikëqyr Shërbimin e Parqeve Kombëtare, tha se do të vazhdonte me projektin.






































