Google search engine
Home Kulture “Tungjatjeta”, projekti i ri për mësimin e gjuhës shqipe te fëmijët e...

“Tungjatjeta”, projekti i ri për mësimin e gjuhës shqipe te fëmijët e diasporës

0
27

Projekti “Tungjatjeta”, një metodë e re dygjuhëshe për mësimin e gjuhës shqipe, e konceptuar për fëmijët shqiptarë që rriten në mjedise dygjuhëshe dhe shumëgjuhëshe. Në kuadër të Seminarit XIX Mbarëkombëtar të Mësuesve të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë u prezantua ky projekt nga Dr. Mimoza Hysa, drejtore e Qendrës së Botimeve për Diasporën, e cila paraqiti rrugëtimin institucional që çoi në zhvillimin e kësaj nisme, dhe nga Prof. Dr. Aljula Jubani, autore e metodës, e cila prezantoi qasjen didaktike dhe risitë metodologjike të saj.

Projekti është iniciuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe është zhvilluar në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, si edhe me mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë. Nga Qendra e Botimeve për Diasporën bëhet me dije se autorë të metodës janë Prof. Dr. Aljula Jubani, Prof. Dr. Linda Meniku dhe Dr. Adriana Bejko, ndërsa në botimin shqip-anglisht, Dr. Adriana Bejko është edhe përkthyese e tekstit në gjuhën angleze. “Versioni i parë i metodës botohet në variantin shqip-anglisht (A1), ndërsa projekti parashikon zhvillimin e saj edhe në gjuhë të tjera, sipas nevojave të komuniteteve shqiptare në diasporë”, thuhet nga QBD. Projekti “Tungjatjeta” që u prezantua në kuadër të Seminarit XIX Mbarëkombëtar të Mësuesve të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë shënon një hap të ri në zhvillimin e modeleve bashkëkohore për mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë e trashëgimisë, duke iu përgjigjur profileve gjuhësore të brezave të rinj të shqiptarëve kudo në botë.

Seminari XIX Mbarëkombëtar i Mësuesve të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë u zhvillua në Kosovë i organizuar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here