Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndodhet në qendër të një diskutimi të fortë publik pas zbardhjes së të dhënave zyrtare që tregojnë rritjen e pasurisë së tij familjare. Zbardhja e këtyre dokumenteve sipas deklaratës së pasurisë që ministri Gonxhja ka dorëzuar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), ka ngritur dyshime mbi menaxhimin e parave publike dhe konfliktin e mundshëm të interesit gjatë viteve të tij në administratë. Z. Gonxhe, i cili njihet si një nga bashkëpunëtorët e hershëm të kryeministrit Edi Rama që nga periudha e Bashkisë së Tiranës, u rikthye zyrtarisht në poste publike në vitin 2015. Emërimi i tij fillimisht në krye të ndërmarrjeve vendore dhe më pas në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit (APR) u shoqërua edhe me dorëzimin e deklaratës fillestare të pasurisë.
Konkretisht deklarata e tij e parë e pasurisë në atë periudhë kapte shifrën neto prej rreth 564 mijë eurosh familjarisht, të përbërë nga prona të paluajtshme, llogari bankare, para cash dhe kuota në kompani private. Mes këtyre aktiviteteve tregtare spikaste kompania e marrjes së makinave me qira “Albarent”, si dhe biznesi “Rentalcars Albania” i lidhur me të birin e tij. Megjithatë, bilancet e mëvonshme financiare do të shfaqnin një pesëfishim të aseteve të familjes përgjatë tetë viteve në detyrë publike. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), e cila u mor nën drejtim nga Gonxhe në vitin 2018, përkoi me nisjen e një rritjeje të aseteve financiare të familjes. Intra-aktiviteti biznesor bëri që brenda vetëm dy viteve pasuria e tij të dyfishohej duke arritur në 1.2 milionë euro. Ritmi i rritjes vazhdoi edhe gjatë periudhës 2019–2023, ku asetet u shtuan edhe me 1.3 milionë euro të tjera. Ndërkohë pasuria e përgjithshme e familjes Gonxhe* arriti kështu në shifrën prej 2.5 milionë eurosh deri në fund të vitit 2023, nga 564 mijë euro që deklaroheshin në vitin 2015.
Kjo shifër do të thotë se gjatë tetë viteve në poste shtetërore, pasuria e tij u rrit me pesë herë krahasuar me deklarimin fillestar. Qarkullimi mesatar vjetor i aseteve të familjes përllogaritej në rreth 249 mijë euro në vit. Pjesa më e madhe e këtij prosperiteti financiar nuk rrodhi nga pagat e tij si zyrtar, por nga aktiviteti privat i kompanive familjare.
Nga tenderat publikë te dhurimi i aksioneve te bashkëshortja, dritëhijet e konfliktit të interesit
Kompania “Albarent” vazhdoi aktivitetin e saj tregtar duke lidhur kontrata të njëpasnjëshme me institucione të ndryshme shtetërore për dhënien e mjeteve me qira. Institucione të ndryshme në varësi të Kryeministrisë apo ministrive paguanin rregullisht fondet publike drejt kësaj kompanie. Gjatë gjithë kësaj kohe, Blendi Gonxhe vazhdonte të mbante pronësinë e plotë mbi këtë shoqëri tregtare, edhe pse mbante poste të larta drejtuese në administratë. Kalimi i pronësisë së kompanisë u realizua më 29 janar të vitit 2024, vetëm tre javë pasi Gonxhe u dekretua si Ministër i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit. Gonxhe ia dhuroi 100% të kuotave të “Albarent” bashkëshortes së tij, Elda Gonxhja, përmes një transaksioni zyrtar. Në momentin e këtij kalimi, kompania kishte akumuluar një fitim të pashpërndarë që kapte vlerën e rreth 2 milionë eurove. Pasi u regjistrua si pronare e vetme, bashkëshortja e tij filloi shpërndarjen e këtij dividenti në llogaritë e saj personale. Por ekspertët e ligjit dhe të deklarimit të pasurive kanë ngritur pikëpyetje të mëdha lidhur me zbatimin e kuadrit ligjor për parandalimin e konfliktit të interesit. Pyetja kryesore që ngrihet lidhet me faktin nëse një zyrtar i lartë mund të përfitojë të ardhura indirekte nga fondet e shtetit përmes bizneseve të familjes.
Megjithëse Gonxhe deklaroi se u shkëput nga biznesi për t’iu përkushtuar detyrës publike, kompania e tij vijoi të arkëtonte para nga buxheti i shtetit. Transaksionet e dokumentuara të thesarit tregojnë një ndërthurje të dukshme mes menaxhimit të posteve publike dhe përfitimeve të bizneseve private familjare. Kjo dosje financiare përbën tashmë një sprovë të hapur për organet e kontrollit të pasurive të zyrtarëve të lartë si Inspektoriati i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), apo edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK). Ndërkaq opinioni publik vijon të presë sqarime të plota mbi lëvizjet financiare që shoqëruan ngritjen e tij në kabinetin qeveritar. Më poshtë po tregojmë për lexuesin kush është ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe gjithashtu po pasqyrojmë disa shifra sa i takon pasurisë së tij, referuar deklaratës që ai ka dorëzuar pranë ILDKPKI.
Dosja financiare (2015–2025), bum-i i pasurisë në pushtet
- Pasuria neto fillestare (2015): ~564,000 € (Prona, cash, depozita bankare dhe aksione)
- Kërcimi i parë (2018): 1,200,000 € (Dyfishim i aseteve pas marrjes së drejtimit të DPSHTRR)
- Akumulimi përfundimtar (2015–2023): ~2,500,000 € (Qarkullim total i aseteve familjare; pesëfishim nga fillimi)
- Qarkullimi mesatar vjetor: ~249,000 € në vit
- Fitimi i pashpërndarë te “Albarent” (Janar 2024): ~2,000,000 € (Para të bartura në biznesin e marrjes së mjeteve me qira)
- Lëvizja e pronësisë (29 Janar 2024): Dhurimi i 100% të kuotave të “Albarent” te bashkëshortja Elda Gonxhja (3 javë pasi u bë ministër)
- Ndikimi në 2024–2025: Tërheqje dividentësh nga bashkëshortja nga fitimet e grumbulluara nga kontratat me entet publike.
Kush është Blendi Gonxhja?
Blendi Gonxhja ka lindur në Tiranë, më 15 Qershor 1970. Prej muajit shtator 2025 ai mban postin e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Më herët, ai ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, prej muajit janar 2024. Përpara kësaj detyre, nga nëntori 2018, Blendi Gonxhja ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjatë drejtimit të kësaj drejtorie, shërbimet e transportit rrugor pësuan transformim epokal falë modernizimit dhe revolucionit digjital, thjeshtimit dhe lehtësimit të praktikave për qytetarët, si dhe investimeve infrastrukturore dhe rikualifikimeve të drejtorive rajonale për të garantuar kushte dinjitoze pune e shërbimi sipas standardeve ndërkombëtare.
Një arritje e dukshme gjatë kësaj periudhe është krijimi i Retro – Koleksioni Shqiptar i Mjeteve Historike, si projekti i shumëpritur dhe shumëdëshiruar nga mjeshtrat, restauruesit dhe koleksionuesit e ciklomotorave dhe automjeteve të hershme dhe me interes historik, si një lëvizje kulturore që ka përfshirë Shqipërinë, duke u anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA). Në vitin 1998, Blendi Gonxhja mbajti detyrën si Shef i Kabinetit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku u angazhua për zhvillimin e politikave mbrojtëse dhe të qëndrueshme. Në vitin 2000, Blendi Gonxhja u emërua Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës që asokohe drejtohej nga Edi Rama (kryebashkiak i kryeqytetit), sot kryeministër i Shqipërisë. Pas impenjimit si Këshilltar i Fondacionit “Rothschild” dhe “Packard” në 2003, iu dedikua aktivitetit si një sipërmarrës në fushën e shërbimeve të lidhura me transportin në Greqi dhe Shqipëri. Nga Gushti 2015, Blendi Gonxhja iu bashkua ekipit të ri të Bashkisë Tiranë, si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit.
Nga Tetori 2015, drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë, periudhë gjatë së cilës u ndërmorën nisma thelbësore për kryeqytetin që sollën transformimin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial dhe rikualifikimin e objekteve publike. Në vitin 1989, Blendi Gonxhja kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe në vitin 1993, u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve). Blendi Gonxhja ishte ndër protagonistët kryesorë udhëheqës të Lëvizjes Studentore për Demokraci dhe ndër themeluesit e partisë së parë opozitare. Në vitin 1991, udhëhoqi grevën studentore për shembjen e kulteve të diktaturës.
Në Korrik 1996, Blendi Gonxhja dëshmoi përpara Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në “Dëgjesën për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Shqipëri” gjatë Kongresit Amerikan. Po atë vit, iu akordua Bursa “Fullbright” në Fakultetin e Studimeve Europiano-Lindore, Universiteti i Miçiganit (SHBA). Përgjatë viteve të angazhimit publik, Blendi Gonxhja ka themeluar dhe drejtuar shumë organizata e shoqata rinore, jo-qeveritare dhe humanitare si: Federata e Rinisë, Këshilli Studentor, Fondacioni Zvicerian në Ndihmë të Shkollave “SAA”, si dhe ka mbajtur role kryesore në Forumin për Demokraci dhe Aleancën Demokratike. Një angazhim i rëndësishëm ishte edhe roli si Koordinator Kulturor i të parit grup të Korpusit të Paqes së SHBA në Shqipëri.







































