Emërimi i Andis Sallës në shtator 2025 në krye të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka ngritur supeshqetësime të mëdha, pasi pas tij fshihet një profil pa asnjë lidhje me zhvillimin rural, por me një histori të ngarkuar dyshimesh. Ish-avokat penal dhe ish-drejtor burgu, Salla u ul në karrigen e ministrit pas gjashtë vitesh si kryetar i Bashkisë së Cërrikut. Sot, mbi tryezën e tij rëndon dosja më e hapur financiare me Bashkimin Europian: 146 milionë euro të bllokuara dhe 52 raste mashtrimi të dokumentuara nga OLAF, ndërkohë që vetë ai akuzohet për aplikimin e një skeme të ngjashme me “5D” të Bashkisë së Tiranës, duke devijuar tenderat publikë për interesat e tij personale.
Skema “5d” në ministri dhe tenderat e dyshimtë të “Madrid 1 shpk”
Publikisht, kompania “Madrid 1 SHPK” njihet tashmë si firma e lidhur drejtpërdrejt me ministrin Salla. Përmes ndikimit të tij politik në Qarkun e Elbasanit, kjo kompani ka përfituar tendera publikë mjaft të dyshimtë në bashkitë Cërrik, Librazhd dhe Elbasan. Ajo që po ndodh sot në Ministrinë e Bujqësisë shihet si një përsëritje e skemës “5D”: tenderat e dikasterit që ai drejton po përfundojnë indirekt në xhepin e vet. Vendosja e tij në këtë post nga kryeministri Edi Rama, pikërisht në kohën kur SPAK po heton agjencinë kryesore të kësaj ministrie, konsiderohet si një lëvizje për të ndërruar fytyrën e pushtetit pa prekur sistemin e abuzimit.
Pasuria e errët, ndërtesa 361 m² “dhurim” pa emër dhe milionat në bankë
Një analizë e deklaratave të pasurisë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), për periudhën 2019–2024 zbulon një ritëm të pashpjegueshëm pasurimi:
Viti 2019: Kur mori drejtimin e Bashkisë Cërrik, Salla deklaronte zero pasuri të paluajtshme, vetëm 386,454 lekë të ardhura nga paga dhe 344,424 lekë gjendje bankare.
Kërcimi i vitit 2023: Bëhet pronar i një ndërtese 361 metra katrorë me vlerë mbi 8.9 milionë lekë (~88,000 euro). Si burim krijimi ka shënuar vetëm fjalën “Dhurim” — pa asnjë emër dhuruesi, pa detaje mbi aktin noterial dhe pa bërë publike vendndodhjen e pronës.
Matematika e pashpjegueshme e llogarive:Në të njëjtin vit (2023), llogaritë e tij bankare shtohen me mbi 2.1 milionë lekë. Në vitin 2024, shtohen edhe 2.8 milionë lekë të tjera me arsyetimin “të ardhura nga paga”. Por, paga e tij vjetore si kryebashkiak ishte vetëm rreth 1.7 milionë lekë bruto. Shifrat thjesht nuk përputhen.
Nga interesat e Cërrikut te hetimet e prokurorisë me “Eco-Elb”
Përpara se të merrte postin e ministrit, karriera e Sallës u gatua në strukturat lokale të Partisë Socialiste në Elbasan, duke kaluar nga drejtimi i burgut te Bashkia e Cërrikut. Gjatë drejtimit të kësaj bashkie, ai vuri firmën në një amendim kontrate që sot po hetohet nga Prokuroria e Elbasanit për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Së bashku me kryetarë të tjerë bashkish, në maj 2025 ai i hoqi detyrimin kompanisë “ECO-ELB” (e lidhur me drejtorin Leli Kaja) për incenerimin e mbetjeve, por nga ana tjetër rriti çmimin e pagesës. Ndonëse inceneratori i Elbasanit prej vitesh nuk funksiononte, Bashkia Cërrik vazhdoi të paguante para publike për një shërbim që nuk kryhej kurrë, raporton “pamfleti.net”. Prokuroria tashmë ka thelluar hetimet mbi stafin financiar dhe zyrtarët e përfshirë.
Hijet e SPAK-ut mbi AZHBR-në dhe gënjeshtrat nga foltorja e Kuvendit
Por marrja e detyrës si ministër e vendos Andis Sallën në një konflikt flagrant interesi: ai drejton dikasterin dhe agjencinë (AZHBR) që janë nën hetim të hapur penal nga SPAK dhe OLAF. Programet IPARD II dhe III mbeten të bllokuara që prej korrikut 2023 për shkak të 52 rasteve të dokumentuara të mashtrimit, ku grantet e destinuara për fermerët përfunduan në vila luksoze në Dhërmi apo te kompani konsulence të paracaktuara. Pavarësisht se në mars 2026 u mor në pyetje ish-ministrja Frida Krifca dhe në prill 2026 u ngrit akuza ndaj biznesmenit Reni Ashiku (“Converse Management Consulting”), Salla doli në Kuvend në shkurt 2026 duke deklaruar rremshëm se 146 milionë eurot e IPARD III do të çeleshin brenda 6-mujorit të parë. Komisioni Europian e ka përgënjeshtruar këtë afat, duke konfirmuar se pezullimi i fondeve mbetet në fuqi dhe se nuk ka asnjë datë zyrtare pa përfunduar hetimet e SPAK-ut.
4 pyetjet përvëluese që kerkojnë përgjigje urgjente:
- Për fondet e BE-së: Mbi cilin dokument zyrtar të Komisionit Europian u bazua ministri kur deklaroi çeljen e 146 milionë eurove brenda 6-mujorit, apo mashtroi koshientërisht Kuvendin?
- Për konfliktin e interesit: Si mund të garantojë hetim të pavarur të SPAK mbi AZHBR-në, kur vetë ai është eprori direkt i institucionit nën hetim?
- Për aferën e mbetjeve: Sa para nga buxheti i Cërrikut i ka paguar kompanisë “ECO-ELB” për incenerim mbetjesh, kur inceneratori ishte jashtë funksionit?
- Për pasurinë e pashpjegueshme: Kush është personi ose subjekti që i “dhuroi” ndërtesën 361 m² me vlerë 8.9 milionë lekë, ku ndodhet kjo pronë dhe pse fshihet emri i dhuruesit?







































