Google search engine
Home Ekonomi Tatimet sqarojnë risitë në deklaratat vjetore për Tatimin e mbajtur në burim

Tatimet sqarojnë risitë në deklaratat vjetore për Tatimin e mbajtur në burim

0
59

Pas përfundimit të procesit të dorëzimit të rreth 320 mijë deklaratave vjetore për vitin 2025, përkatësisht TAK, TAPB dhe DIVA, Administrata Tatimore, në kuadër të përmirësimit dhe thjeshtimit të mëtejshëm të këtij procesi për periudhat në vijim, informon tatimpaguesit mbi disa risi dhe rregulla të rëndësishme që lidhen me plotësimin e deklaratave. Deklaratat e implementuara përfshijnë rregulla më të qarta dhe më të strukturuara, me synim rritjen e saktësisë dhe transparencës në raportimin fiskal. Nga përvoja e këtij procesi dhe problematikat e evidentuara, lind nevoja për të rikujtuar tatimpaguesit mbi detyrimin ligjor për plotësimin e deklaratave në mënyrë të saktë dhe korrekte.

Risia kryesore në deklarimin e të ardhurave personale përmes DIVA për vitin 2025 është paraplotësimi i deklaratës. Ajo tashmë paraqitet e paraplotësuar me të dhëna të marra nga deklaratat e tatimit në burim dhe listëpagesat ku individi rezulton i përfshirë gjatë vitit që po deklarohet. Kjo risi, e shoqëruar me kontrolle automatike në sistem, ka sjellë lehtësira të konsiderueshme për individët, duke rritur saktësinë e të dhënave, duke thjeshtuar procedurën dhe duke kursyer kohë në deklarim. Megjithatë, problematikat e konstatuara lidhen kryesisht me pasaktësi në plotësimin analitik të deklaratave të tatimit në burim, në zbatim me kërkesat ligjore. Këto pasaktësi sollën mospërputhje mes të dhënave të deklaruara dhe atyre të reflektuara në DVAP/DIVA, si dhe vështirësi për individët në verifikimin, plotësimin dhe korrigjimin e deklaratave të tyre.

Duke qenë se paraplotësimi i DVAP/DIVA mbështetet drejtpërdrejt në të dhënat e deklaruara nga tatimpaguesit që mbajnë dhe raportojnë tatimin në burim, me qëllim shmangien e deklarimeve të përgjithshme apo të pasakta, është thelbësore që ky deklarim: Të kryhet në mënyrë të saktë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi; Të realizohet në mënyrë analitike për çdo ID përfituesi. Kujdes! Mosdeklarimi i saktë dhe joanalitik i tatimit në burim: Cënon të drejtën e individëve për një deklarim të saktë dhe të vërtetë në DIVA; Krijon pasaktësi në të dhënat e paraplotësuara; Sjell vështirësi në procesin e verifikimit dhe korrigjimit nga vetë individët.

Për të garantuar saktësinë e deklarimit të tatimit në burim dhe të paraplotësimit të DIVA, Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që kanë kryer deklarime joanalitike apo të pasakta në deklaratën e Tatimit në Burim, t’i rishikojnë dhe korrigjojnë ato, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Zbatimi korrekt i këtyre rregullave ndihmon në shmangien e penaliteteve, rrit vetëpërmbushjen dhe saktësinë në vetëdeklarim, si dhe përmirëson cilësinë e shërbimeve ndaj tatimpaguesve. Ky detyrim vlen për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore për tatimin e mbajtur në burim, përfshirë bizneset private, institucionet dhe entet publike, sipas njoftimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here