Google search engine
Home Ekonomi Nëse shisni përmes internetit duhet të regjistroheni, ose do ju bllokohet faqja

Nëse shisni përmes internetit duhet të regjistroheni, ose do ju bllokohet faqja

0
65

Administrata Tatimore u ka kujtuar të gjithë personave fizikë, individëve tregtarë, të vetëpunësuarve dhe entiteteve që zhvillojnë veprimtari ekonomiko-tregtare nëpërmjet internetit se, njësoj si çdo aktivitet tjetër tregtar, janë të detyruar të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit përpara fillimit të ushtrimit të aktivitetit. Në bazë të nenit 40, pika 1/1, të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” (i ndryshuar), këto subjekte kanë detyrimin ligjor të publikojnë në faqen e tyre të internetit: numrin e NIPT-it; emrin e subjektit tregtar; adresën e selisë; numrin e telefonit.

Në rastet kur evidentohen persona që ushtrojnë aktivitet tregtar online pa i publikuar këto të dhëna, Administrata Tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do t’i kërkojë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bllokimin e përkohshëm të faqes së internetit përmes së cilës ushtrohet aktiviteti. Institucioni thekson se bashkëpunimi me AKEP është forcuar, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër informalitetit, veçanërisht ndaj subjekteve që operojnë online pa u regjistruar dhe pa deklaruar pranë organeve tatimore.

Administrata Tatimore u kërkon të gjithë personave që ushtrojnë ose synojnë të ushtrojnë tregti në internet të përmbushin kërkesat ligjore dhe të shlyejnë detyrimet tatimore përkatëse. Në të kundërt, në rast të mospërmbushjes së detyrimeve për regjistrim dhe publikim të të dhënave, Administrata Tatimore paralajmëron se do të aplikojë masat administrative të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here