Adriatik BALLA
Migjen Basha ka dhënë një intervistë në emisionin “Legjendat flasin”, intervistë e hedhur në kanalin e FSHF-së. Ndërmjet të tjerave ai flet për karrierën e tij me përfaqësuesen, nga moment kur aplikoi për pasaportë e deri kur luajti në Europianin 2016 me fanellën kuqezi. “E gjithë procedura u avancua në momentin kur De Biazi u afrua te Torino. U avancua, sepse donin që unë të isha pjesë e Shqipërisë sa më shpejt. Më kujtohet shumë mirë, sepse pavarësisht se ka qenë kohë shumë e gjatë, unë e kam marrë dritën jeshile pak kohë para ndeshjes me Norvegjinë, në mars 2013. Nga ai moment kam qenë pjesë e Kombëtares dhe u hapën dyert për të gjithë çunat nga Zvicra që vinin pastaj në Kombëtare”, tha Basha.
Më pas ai komentoi momentin më të lumtur në përfaqësuese. “Momenti kur ka përfunduar ndeshja në Armeni pasi ajo na dha kualifikimin në Europianin 2016. Ai ka qenë momenti më i mirë. Tre ditët përpara Armenisë kanë qenë shumë stresuese, sepse humbëm kundër Serbisë në Elbasan. Ishte më e vështirë, sepse ishte e rëndë për ne të humbnim edhe kundër Serbisë. Momenti kur mbaroi ndeshja në Armeni ishte gëzim i madh për të gjithë, sepse ishte hera e parë. Në atë moment, askush nuk e priste që Shqipëria të ishte e dyta në grup pas Portugalisë, sepse ishim në një grup të vështirë. Ishte gëzim shumë i madh”, nënvizoi më tej Basha.
Ndeshja me Serbinë
Basha komentoi edhe momentin më të vështirë me përfaqësuesen, ku ai cilëson disfatën në Elbasan 0-2 përballë serbëve, një rezultat që e trishtoi shumë. “Më e vështirë sa i përket rezultatit është ndeshja kundër Serbisë, kur humbëm 0-2 në Elbasan, sepse ka qenë në momentet e fundit. Të gjithë kemi menduar se rezultati do jetë 0-0, pastaj pësuam një gol me kundërsulm dhe humbëm shpresat. Ai ka qenë momenti më i vështirë dhe dyfish e bën të vështirë se humbëm kundër Serbisë”, theksoi kosovari.
Pengu
Nuk mungoi në intervistën e Bashës dhe një qëndrim për stadiumin e ri në Tiranë, që ai thotë se e ka peng që nuk e provoi në fushë. “Pengu më i madh është fakti që vendosa të largohem nga kombëtarja disa muaj para inagurimit të stadiumit “Air Albania”. Dhe nuk e kam pasur fatin që të luaj një ndeshje në këtë stadium. Sepse realisht, kur e sheh një ndeshje sot në televizor apo në stadium, është një moment shumë i mirë dhe atmosfera është shumë e mirë. Pavarësisht se unë i kujtoj me shumë mall edhe momentet që kemi qenë në “Qemal Stafa”. Edhe atëherë ka qenë atmosfera super. Fakti që nuk kam luajtur një ndeshje në stadiumin e ri e kam disi peng. Por të gjitha momentet që kam pasur me Kombëtaren kanë qenë super”, theksoi më pas ai.
Prezantimi në Europian
Në fund Basha foli për momentin kulminant të tij, kur luajti me fanellën kuqezi në Europianin Francë-2016. “Momenti kur doli emri, që do të isha pjesë e finaleve, ka qenë shumë gëzim. Në ndeshjet me Zvicrën dhe Francën nuk kam qenë titullar, por në ndeshjen me Rumaninë isha në fushë, ku edhe fituam. Kemi bërë një fitore që pas asaj, nuk e dinim nëse kishim ende shanse për t’u kualifikuar më tej. Ka qenë një eksperiencë shumë e madhe dhe e mirë për ne”, përfundoi Migjen Basha.







































