Google search engine
Home Sport Mateta kalon testet mjekësore te Milani, Juventusi bën ofertë për Mauro Ikardin

Mateta kalon testet mjekësore te Milani, Juventusi bën ofertë për Mauro Ikardin

0
65

Adriatik BALLA

Zhan Filipe Mateta pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore të dielën përpara një transferimi të përhershëm nga Crystal Palace te Milani, sipas përditësimeve më të fundit. Sipas Xhejms Hornkasëll dhe David Ornstein të “The Athletic”, reprezentuesi i Francës është gati t’i bashkohet kuqezinjve në një marrëveshje me vlerë mbi 30 milionë euro dhe pritet t’i kryejë testet mjekësore para përfundimit të fundjavës. Milani ka shpresuar ta sigurojë marrëveshjen për Matetan në javën e fundit të afatit kalimtar të janarit, por është dashur të presë që Kristal Palace fillimisht të gjente një zëvendësues të përshtatshëm. Klubi nga Londra e Jugut tashmë ka finalizuar marrëveshjen për sulmuesin e Volverhampton Uanderers, Jorgen Strand Larsen, i cili pritet t’i bashkohet skuadrës së Oliver Glasner në një transferim me vlerë pothuajse 50 milionë euro, pa përfshirë bonuset.

Kjo i hap rrugën Matetas për t’u transferuar te Milani, pavarësisht interesimit më herët gjatë këtij muaji nga klube si Juventusi dhe Notingham Forest. Mateta ka shënuar tetë gola në 23 paraqitje në Premierligë këtë sezon dhe ka një bilanc total prej 46 golash në 153 ndeshje në elitën e futbollit anglez. Ai gjithashtu ka realizuar dy gola në tri paraqitje me kombëtaren e Francës në vitin 2025. Ndërkohë, “Sky Sport Italia” raporton se Juventusi i ka ofruar një kontratë 18-mujore sulmuesit të Gallatasarait, Mauro Ikardi, pasi Totenhem nuk është i gatshëm të lirojë Randal Kolo Muani.

Ish-kapiteni i Interit, Ikardi, është objektivi më i fundit i Juventusit për repartin ofensiv dhe, sipas “Sky Sport Italia”, gjigantët e Serie A i kanë ofruar sulmuesit argjentinas një kontratë 18-mujore. Kontrata e Ikardit me Gallatasarain skadon në fund të sezonit, ndërsa trajneri i Juventusit, Luçiano Spaleti, e ka drejtuar më parë atë tek Interi. Eksperti i merkatos Alfredo Pedulla raportoi më herët gjatë ditës se Juventusi kishte pyetur për disponueshmërinë e Ikardit, ndërsa tani klubi torinez po ecën përpara me negociatat si me Gallatasarain, ashtu edhe me lojtarin.

Me mbylljen e afatit kalimtar dimëror, mbetet të shihet nëse Juventusi do të ketë mjaftueshëm kohë për ta finalizuar marrëveshjen dhe nëse Gallatasarai do të arrijë të lëvizë shpejt për një zëvendësues. Juventusi ka hapur bisedimet me Ikardin pasi kuptoi se Totenhem nuk do ta ndërpresë huazimin e Kolo Muanit. Juventusi dhe Gallatasarai do të përballen edhe në “play-offin” eliminator të Ligës së Kampionëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here