Google search engine
Home Kulture Shqipëria drejt Bienales së 61-të të Venecias, prezantohet projekti “A Place in...

Shqipëria drejt Bienales së 61-të të Venecias, prezantohet projekti “A Place in the Sun”

0
108

Nga Julia Vrapi

Përfaqësimi i Shqipërisë në Bienalen e 61-të të Venecias vendosi artistë dhe institucione në qendër të një debati kulturor. Bienalja Ndërkombëtare e Artit në Venecia do të mbahet nga 9 maj -22 nëntor 2026, ku këtë edicion vendi ynë do të ketë përfaqësimin e tij me projektin  “A Place in the Sun” nga Genti Korini. Bienalja e Venecias është dhe një nga ngjarjet më prestigjioze të artit në botë, ku institucionet kulturore shqiptare organizuan një bisedë publike, që solli në qendër të vëmendjes pavijonin shqiptar dhe artistin, që do ta përfaqësojë vendin në këtë edicion. Diskutimi u ndal gjithashtu mbi rëndësinë e këtij momenti për artin bashkëkohor shqiptar dhe rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike e skenës së pavarur.

Në këtë bisedë publike  në hollin e TKOB ishte e pranishme Lira Pipa zëvendësministre e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Adela Demetja drejtore e Galerisë Kombëtare të Arteve, Elian Stefa drejtor i Albanian Visual Arts Network dhe Genti Korini artisti përfaqësues i Shqipërisë, ku të pranishëm ishin dhe të tjerë artistë e studiues arti. Projekti i artistit Genti Korini ndërthur video-instalacione, pikturë, skenografi arkivore dhe elementë vizualë, që vënë përballë idealet e së kaluarës me realitetet e sotme. Sipas artistit projekti “A Place in the Sun” është një vazhdimësi e interesit të tij kërkimor dhe të artit mbi procesin e modernizmit dhe modernitetit. “Çfarë marrëdhënie kemi ne si vend me avangardat e shekullit XX, që kemi një shkëputje kulturore ose një mosprekje të kësaj fushe?

Për mua gjithmonë ka qenë një kuriozitet për ta investiguar edhe për ta kuptuar ku çon ajo ose çfarë lloj boshllëqesh, çfarë lloj situatash prodhon. Arti shqiptar është shumë i fragmentuar në nga anën historike. Ka një moment interesant për mua që artistëve shqiptarë iu mohua, si të thuash, e drejta për të qenë modernistë. Papritur në vitet ’90, ata të gjithë vendosën të bëheshin modernistë, po prapë ishin mbrapa kohe”, tha ndër të tjera ai. Në këtë takim gjatë fjalës së saj,

Adela Demetja drejtoreshë e GKA tha gjithashtu se njëra nga detyrat kryesore të galerisë është edhe përfaqësimi ndërkombëtar i Shqipërisë në evente jashtë. Sipas saj niveli i aplikimeve  për në Bienalen e Venecias ishte më i larti i viteve të fundit, me projekte të kompletuara teknikisht dhe konceptualisht. Ky takim për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bienalen e 61-të të Venecias, u prit me interes nga komuniteti artistik, dhe u cilësua si një hap i rëndësishëm për t’i dhënë publikut akses në procesin e përgatitjes së pavijonit shqiptar. Ai shërbeu gjithashtu si një platformë reflektimi mbi sfidat dhe mundësitë e artit bashkëkohor shqiptar në skenën ndërkombëtare.

17 aplikime për Bienalen e Venecias

Për Bienalen e Venecias u pranuan 17 aplikime, ku juria ndërkombëtare zgjodhi fitues artistin Genti Korini. Siç u bë me dije më herët, juria e përbërë nga Adela Demetja, Katerina Gregos, Blanche de Lestrange, Elian Stefa dhe Arnisa Zeqo zgjodhi këtë projekt si më bindësin ndër 17 aplikimet e pranuara përmes thirrjes së hapur.  Sipas vlerësimit të jurisë, projekti “A Place in the Sun”, spikat për thellësinë e kuadrit të tij konceptual dhe për saktësinë e realizimit vizual. Duke ndërthurur kërkimin arkivor, folklorin dhe imagjinatën, Korini eksploron mënyrën se si kujtesa kolektive dhe ideologjia formësojnë identitetin dhe hapësirën, duke endur lidhje mes së shkuarës shqiptare dhe ndërthurjeve të saj me Bashkimin Sovjetik.

Juria vlerësoi risjelljen krijuese të arkivave pamore lokale përmes një këndvështrimi absurdist dhe lindor, si dhe qasjen e tij shumëdimensionale dhe eksperimentale ndaj historisë. Më herët Ministria e Kulturës shpalli edhe konkursin për projektin e pavijonit shqiptar që do të shqyrtohej nga juria ndërkombëtare. Afati i fundit për aplikim për projektin që do të ishte përfaqësim i vendit tonë ishte deri më 14 shtator 2025. Bienalja e Artit në Venecia mbahet çdo dy vjet në Venecia, Itali, dhe është një manifestim i rëndësishëm i artit vizual, duke ofruar një platformë globale për artistët dhe punët e tyre. Bienalja e Artit në Venecia është një nga ngjarjet më të ndjekura dhe më të ndikueshme në botën e artit dhe ajo ka për qëllim të mbështesë dhe promovojë artin bashkëkohor dhe të ofrojë një mundësi për dialog ndërkombëtar mes artistëve, kuratorëve dhe vizitorëve nga e gjithë bota.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here