Trajneri brazilian i Kombëtares kuqezi, Silvinjo, si dhe mbrojtësi veteran i përfaqësueses, Elseid Hysaj, besojnë se Shqipëria do ta përmbushë me sukses kualifikimin për herë të parë në finalet e një Kupe Bote, ku vendimtare është ndeshja e “play-off”-it me Poloninë. Si Silvinjo dhe Hysaj besojnë se grupi e ka cilësinë për të shkuar në Botëror dhe shortin e shohin të vështirë por jo të pamundur. Në analizat që ka bërë trajneri Silvinjo edhe në median sportive italiane dhe për gazetarin Di Marzio, ka vënë theksin tek kualiteti i lojtarëve të Shqipërisë, duke besuar se është momenti që Shqipëria të shkojë në Botëror.
Qëndrimi i Hysajt
Në muajin mars, Kombëtarja shqiptare ka dy ndeshje shumë të rëndësishme siç janë ato të fazës së “play-off”-it të Botërorit 2026, ku kuqezinjtë do të kërkojnë të bëjnë historinë. Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj në kanalet zyrtare të FSHF komentoi rrugëtimin e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026 teksa e konsideroi 2025 si vitin më të mirë. ‘Ky vit mund të ketë qenë viti më i mirë në kombëtare. Ishte një grup shumë i fortë që shumica e tifozëve mendonin se ne ndoshta nuk do të mund ta kalonim, por ja që ia dolëm të jemi në vendin e dytë, vetëm se më vjen keq se në vitet e mëparshme në botëror shkonin dy skuadra, kurse këtë radhë na ra që vendi i dytë duhet të luajë “play-off”-in, por gjithsesi ishte një vit shumë i mirë”, tha Elseid Hysaj.
Dueli me Serbinë
Mbrojtësi kuqezi, Elseid Hysaj, për këto kualifikuese veçoi sfidën e Kombëtares me Serbinë në Tiranë, pasi sipas tij ishte pikërisht kjo sfidë që përcaktoi drejtimin e skuadrës sonë. “Besoj se ndeshja me Serbinë këtu në shtëpi ishte më e mira, sepse treguam karakter. Ishte një ndeshje shumë e bukur që mund ta fitonim dhe që aty besuam se ndeshja e radhës në Serbi do të ishte vendimtare për ne, por kishim mundësi për fitore sepse siç thamë ndeshja në Shqipëri ishte një sfidë e luajtur mirë dhe kishim shanse dhe morëm besimin. Kjo ndeshje na ndryshoi mendimin për kualifikimin”, shtoi Hysaj.
Dueli me Poloninë
Në gjysmëfinalen e “play-off”-it, Kombëtarja do të luajë me Poloninë, që Hysaj e vlerësoi në maksimum. ‘Polonia është një skuadër shumë e fortë. Unë mendoja se do të na binte një skuadër më e lehtë, por futbolli është i bukur se mund të kesh ndeshje të vështira dhe mund t’i fitosh. Në futboll mjafton 1 minutë që të gabosh apo 1 minutë të ndryshon jetën ose fiton ndeshjen dhe mund të kualifikohesh. Por gjithsesi e dimë, kemi luajtur shumë ndeshje ndaj Polonisë, kemi pasur edhe humbje, por nëse luajmë si me Anglinë këtu dhe Serbinë atje, kemi mundësi për kualifikim’-tha mbrojtësi shkodran. Nëse kalon gjysmëfinalen kombëtaren e pret Ukraina ose Suedia dhe Hysaj bëri të ditur preferencën e tij. ‘Të them të drejtën nuk e di cilën preferoj. Si Ukraina ashtu edhe Suedia janë skuadra të forta, edhe pse Suedia ka pasur disa luhatje, sepse i kemi parë ndeshjet e Suedisë ka pasur humbje. Gjithsesi është një skuadër shumë e fortë edhe ajo me emra, por të them të drejtën Suedinë kisha pak më shumë qejf-përfundoi Elseid Hysaj.









































