Nga Julia Vrapi
“I Huaji” mbi natën e fundit të një të dënuari këtë dhjetor në skenën teatrore. Vepra e autorit Albert Kamy në skenën shqiptare, në një adaptim që zhyt spektatorin në absurditetin, vetminë dhe udhëtimin e brendshëm të Mersosë. Në rol kryesor në shfaqjen premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me regji nga Jonathan Bertolai vjen aktori Rafael Hoxhaj. Përmes interpretimit të aktorëve dhe atmosferës së krijuar në skenë, publiku përjeton nga afër tensionin, pasiguritë dhe ndjesitë që shoqërojnë personazhin deri në momentin e fundit. “Të marrin gjithmonë para agimit”, kështu fillon shfaqja “I Huaji” From the bottom of my future, mbi natën e fundit të një të dënuari me vdekje. Ose ndoshta jo, ndoshta nuk është ende e fundit.
Ndoshta do të ketë ditë dhe net të tjera para ekzekutimit. Por është gjatë kësaj nate që Mersou rikthen momentet më të rëndësishme të ekzistencës së tij: dashuritë e tij të pajetuara, takimet, më pas vrasja, avokatët dhe gjyqi. I zhytur në këtë ëndërr gjatë një nate pa gjumë, protagonisti, Rafael Hoxhaj është si një vizitor, i huaj ndaj momenteve që rikthen: udhëton pezull në mjegullën e mendimeve të tij, në mungesën e kuptimit dhe absurditetin e ekzistencës, i tërhequr nga demonët e tij të interpretuar nga aktorët Linda Jarani, Kleard Gërmenji, Ronaldo Kolgjokaj, por pa qëndruar deri në fund me ta, pa arritur të kuptojë thelbin e tyre të vërtetë. Ai shkëputet dhe largohet prej tyre, duke reflektuar me veten për mungesën e kuptimit.
Dhe vetëm në fund, kur do të përballet me dënimin, atëherë do të gjejë një rrugë të re. Edhe pse, ndoshta, do të jetë shumë e vonuar. Bazuar në romanin “I Huaji” të Albert Camus, përshtatur dhe dramatizuar nga Jonathan Bertolai shfaqja shënon premierën më 18 dhjetor. “I Huaji” është një roman i shkrimtarit dhe filozofit francez Albert Kamy, botuar për herë të parë më 1942 nga Gallimard. Është pjesë e tetralogjisë së Albert Kamysë quajtur “cikli i absurdit”, tetralogji, e cila ka në përbërjen e vet esenë Miti i Sizifit dhe po ashtu pjesët teatrale Kaligula dhe Keqkuptimi. Romani “I Huaji” zë një vend të veçantë në krijimtarinë letrare-filozofike të Kamysë. Vepra “I huaji” është përkthyer në 68 gjuhë të ndryshme. Albert Kamy mbetet një nga shkrimtarët më të mirë të botës. Ai ishte dhe filozof francez, fitues i çmimit “Nobel” për Letërsi në vitin 1957.
Shfaqja në teatër
Teatri Kombëtar Eksperimental sjell një qasje të re ndaj klasikëve modernë, duke i ofruar publikut shqiptar jo vetëm një interpretim artistik, por edhe një reflektim të thellë mbi jetën, vdekjen dhe absurditetin që qëndron mes tyre. Në materialin rreth shfaqjes nga teatri, thuhet se shkrimi dhe vënia në skenë nga Jonathan Bertolai paraqesin momente poetike dhe metafizike, me imazhe që kujtojnë edhe ato të piktorit Giran Djurovic, të vendosura në një vend të pashënuar, minimalist, që rikrijon limbon në të cilën ndodhet ekzistenca e protagonistit, i pezulluar në filozofinë e tij. Muzika në shfaqje nga Rafael Marinaj, dizenjues dritash Orlando Bolognesi, kostumografia Sofi Kara, skenografia Jonathan Bertolai dhe Beqo Nanaj, as/regjisor Endriu Hysi. Shfaqja teatrore vijon në skenë edhe në datat 19, 20 dhe 21 dhjetor.









































