“Kalorësi i Babunjës” vepër 2600 vjeçare zbulim i arkeologjisë shqiptare ekspozohet në Muzeun e Vjenës

0
32

Nga Julia Vrapi

“Kalorësi i Babunjës” zbulimi i arkeologjisë shqiptare ekspozohet në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës. Për herë të parë para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë në “Kabinetin e Artë” të Muzeut të Historisë Natyrore në Vjenë – një nga muzetë më të rëndësishëm në botë, pranë Venusit të famshëm të Willendorf-it, do të rrijë i ekspozuar “Kalorësi i Babunjës”. Në Vjenë një ditë më parë nisi dhe punimet konferenca ndërkombëtare me temën “Roli i elitave në mijëvjeçarin e parë p.e.s. midis Europës Qendrore dhe Ballkanit Jugor – me rastin studimor të “Kalorësit të Babunjës”. Akademia e Shkencave shprehet se “Kalorësi i Babunjës” është dhe një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike në Shqipëri gjatë dhjetë viteve të fundit.

“Prezantimi i kësaj vepre unike 2600-vjeçare të arkeologjisë u ideua dhe u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë”, thuhet nga ASH. Kjo vepër arti u zbulua në një vendbanim antik pranë Babunjës, afër qytetit antik të Apolonisë në Iliri, në Shqipërinë e sotme, gjatë gërmimeve kërkimore shqiptaro-gjermane në vitin 2018. Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës, prof. Katrin Vohland, tha se ekspozita e veçantë “Kalorësi i Babunjës”, e paraqitur në Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë, përbën një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin mbi 100-vjeçar midis Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e kulturës dhe të kërkimit shkencor.

Ndër të tjera ASH bën me dije se në fjalën e tij, z. Fate Velaj, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, tha çdo zbulim arkeologjik përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën shkencore dhe shoqërore, duke pasuruar njëkohësisht trashëgiminë kulturore dhe historinë e një vendi. Në Vjenë fjalë përshëndetëse mbajtën dhe drejtori i Institutit të Arkeologjisë, akad. Adem Bunguri, dhe dr. Karina Grömer, shefja e departamentit të prehistorisë të Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës. Sipas ASH, “Kalorësi i Babunjës” është një statujë e jashtëzakonshme prej bronzi që paraqet një kalorës të armatosur mbi kalë. Statuja që u zbulua në Babunjë të Lushnjës është ekspozuar më parë në 2023 edhe në muzeumin “Getty Villa” në Los Angeles. Ndërsa në Vjenë ky objekt do të qëndrojë i ekspozuar në “Sallën e Artë” të Muzeut të Historisë Natyrore deri më 31 korrik.

Konferenca shkencore

Në konferencën shkencore me temën “Roli i elitave në mijëvjeçarin e parë p.e.s. midis Europës Qendrore dhe Ballkanit Jugor -me rastin studimor të “Kalorësit të Babunjës”  në Vjenë marrin pjesë mbi 120 studiues nga e gjithë bota. Nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në këtë aktivitet shkencor mbajnë kumtesat e tyre: akad. Adem Bunguri; prof. Neritan Ceka; prof. Bashkim Lahi; prof. asoc.Eduard Shehi. Sipas akademisë, konferenca përqendrohet në diskutimet akademike për kulturën materiale shoqëruese, mallrat, rrugët tregtare dhe rrjetet e komunikimit midis Europës Qendrore dhe Ballkanit gjatë mijëvjeçarit të parë p.e.s. Në një kontekst më të gjerë do të diskutohen konceptet teorike për strukturat shoqërore dhe identitetet në atë periudhë.

Konferenca në Vjenë ku marrin pjesë dhe akademikë e arkeologë shqiptarë do ti vijojë punimet deri më 15 maj. Instituti i Arkeologjisë në aktivitetin e  tij u përfshi hap pas hapi në një veprimtari të gjerë kërkimore duke organizuar projekte bashkëpunimi me universitete e institucione simotra të vendeve perëndimore. Projektet shumëvjeçare të gërmimeve bashkuan përvojat e arkeologëve shqiptarë me ato të arkeologëve dhe specialistëve nga vende si Anglia, Franca, SHBA, Italia, Greqia, Austria, Gjermania, Zvicra, Izraeli e Polonia në kërkimet për të gjitha fushat e arkeologjisë si për prehistorinë, antikitetin dhe mesjetën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here