Erion Braçe denoncon “puçin e brendshëm” në Njësinë 5 në Tiranë dhe paralajmëron kallëzim penal

0
46

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Braçe, ka ndezur alarmin për një “puç të brendshëm” në Njësinë 5, duke shënjestruar drejtpërdrejt ish-drejtoreshën e PS-së, Anila Shehu. Me një mesazh shpërthyes, zoti Braçe denoncon zaptimin e strukturave, presionin ndaj anëtarëve dhe sabotimin e partisë nga brenda. Ai paralajmëron kallëzim penal, çregjistrim nga PS dhe një përballje të hapur publike nëse veprimet nuk ndalen. Pra kjo tregon se situata ka agravuar ndjeshëm dhe është kthyer në një arenë përplasjesh politike me akuza të rënda për shkelje, intimidim dhe luftë fraksionesh. Paralelisht, Braçe ka denoncuar edhe kaosin urban në Njësinë 5, ku hapësirat publike dhe parkingjet janë kthyer në “tokë të askujt”. Tani, PS nuk është vetëm në fushatë, por është edhe në krizë të brendshme.

Zbulohet SMS

Konkretisht një mesazh SMS është shpërndarë ditët e fundit në grupin e brendshëm të Partisë Socialiste nga ish-zv/kryeministri dhe aktualisht deputeti Erjon Braçe. Mesazhi, siguruar nga “Hashtag.al”, u drejtohet strukturave të PS-së në Njësinë 5 dhe përmban akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-drejtoreshës së PS në këtë njësi, Anila Shehu. Mesazhi është dërguar në mesin e javës së kaluar, por publikimi i tij është konsideruar i domosdoshëm për shkak të “agravimit të situatës” në territorin e Njësisë 5, siç shprehet vetë Braçe. Braçe akuzon Anila Shehun se po vepron në kundërshtim me udhëzimet e Partisë Socialiste dhe me vendimin për largimin e saj nga drejtimi i PS në Njësinë 5. Sipas tij, ajo ka vijuar kontaktet me kryetarët e organizatave socialiste për të lobuar për një kandidat jashtë Njësisë 5, duke përdorur edhe forma presioni dhe intimidimi ndaj anëtarëve të partisë.

Mesazhi i plotë:

“MIRËDITA! Ky është mesazhi i Kryetarit të Partisë, në mes të javës që shkoi. Nuk do ta postoja kurrsesi këtu, nëse situata nuk do të ishte përshkallëzuar kaq shumë në territorin e njësisë sonë, Njësisë 5, dhe nëse kjo situatë nuk do të ishte e përsëritur që prej vitit 2021. JU LUTEM TA LEXONI MESAZHIN! Tani: Anila Shehu – ish-drejtuese e PS në Njësinë 5, po vepron prej javësh saktësisht në kundërshtim me atë që Kryetari i Partisë ka ndaluar të ndodhë! Anila Shehun, për shkak të gjithçkaje që ka bërë gjatë kohës që ka drejtuar PS në Njësinë 5 – sjelljes mizere ndaj anëtarëve të PS, sjelljes tërësisht të paligjshme në zyrat e shtetit dhe me punonjësit atje, si dhe sjelljes së tmerrshme me një proces jetik si legalizimet – e largova unë nga drejtimi, të cilin e kishte marrë për pak ditë, disa javë më parë, me miratimin e Kryetarit të Partisë.

Para dhe pas asaj dite, Anila Shehu ka bërë gjithçka për të copëtuar Partinë Socialiste në Njësinë 5. Dy javët e fundit ajo ka shtuar angazhimin e saj në drejtimet që Kryetari i PS i ka ndaluar – siç janë kontaktet me kryetarët e organizatave të PS të Njësisë 5 për një kandidat jashtë kësaj njësie, si dhe kërcënimet ndaj kryetarëve dhe anëtarëve të këtyre organizatave, deri edhe lidhur me vendin e punës – për të njëjtin qëllim! E gjithë kjo është e provuar prej meje dhe e njohur që nga roli i saj në zgjedhjet e vitit 2021! Tani: Ky është mesazhi i fundit që unë shkruaj këtu në grup. Mesazhi i dytë, nëse Anila Shehu vijon, do të jetë publik në të gjitha rrjetet sociale. Akti i tretë, nëse ajo vazhdon, do të përfaqësohet me një kallëzim penal për intimidim dhe kërcënim ndaj kryetarëve dhe anëtarëve të Partisë Socialiste!

Ndërkohë: U kam kërkuar bashkëkryetarëve të PS në Njësinë 5 të nisin procedurën e çregjistrimit të Anila Shehut nga Partia Socialiste! Nga ana tjetër: Kam një mesazh shumë të qartë për kryetarët dhe çdo anëtar të PS në Njësinë 5: Në vendet e punës nuk jeni prej Anila Shehut; jeni prej meritës suaj profesionale dhe kontributit të gjithsecilit! Kështu do të jetë edhe nesër! Ju kam thënë qartë se “Libri i Meritës” do të jetë i vetmi udhërrëfyes nesër! Anila Shehu nuk hyn dhe as do të hyjë askund në 12 maj; madje, si plotësisht e papërshtatshme në përputhje me ligjin, nuk ka sesi të jetë as aty ku ndodhet aktualisht! VIJOJMË ME DETYRAT”, shkruan Braçe, sipas sms së siguruar nga “Hashtag.al”.

Braçe sfidon zaptuesit

Ndërkohë kandidati socialist për Tiranën, Erjon Braçe denoncoi mungesën e parkingjeve dhe zaptimin e hapësirave publike në njësinë 5 në Tiranë. Sipas Braçes, mungesa e vendparkimeve dhe zaptimi i hapësirave publike janë kthyer në problem shqetësues për qytetarët në kryeqytet. “Kjo është zona tek moskatët në Tiranën e Re tani, në këtë orë dhe gjithë ditën në fakt! Zayed Center ka zënë një anë të rrugës, ka pushtuar edhe një shesh publik të pallatit dhe e ka parking të paligjshëm për qendrën; urdhëroni e shiheni!

A ka policia bashkiake e policia rrugore për këta? Alibia se kanë kartë rezidenti bie menjëherë sa kohë këta nuk janë banorë këtu; për më tepër kur parkojnë në rrugë publike! E dyta, dy kokale majtas e djathtas u strehuan në fillim në katin e parë të pallateve, pastaj dolën jashtë e zaptuan lulishten, pastaj dolën në shesh dhe kanë zaptuar sheshin; A ka policia bashkiake për këta?! Njerëzit e zakonshëm, banorët, nuk kanë më jetë këtu!! Beëëëëëëëëëëëniii detyrën hapni rrugët dhe hapësirat publike lulishtet e sheshet bashkë”, shkroi dje Braçe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here