Tom Doshi “trondit” fushatën me sulmet për Ramën dhe Berishën

0
34

Tom Doshi duket se ka ndezur fushatën me akuza tronditëse ndaj Ramës dhe Berishës, duke goditur njëkohësisht dy blloqet politike kryesore në vend. Kreu i Partisë Social Demokrate deklaroi nga Shkodra se gjysma e qeverisë aktuale ndodhet në burg ose nën hetim, ndërsa paralajmëroi se pas 11 majit mund të ketë një pakt të fshehtë mes PS dhe PD. Ai i cilësoi të dyja palët si bashkëfajtorë në degradimin e Shqipërisë dhe u zotua se pa PSD-në nuk do të ketë mazhorancë.

Por sulmet e tij të drejtpërdrejta vijnë në një moment delikat për mazhorancën, e cila përballet me braktisje të papritura edhe nga këshilltarët e PSD në Shkodër. Ndërkohë përplasja politike ka përfshirë edhe këshillin bashkiak, ku PSD dhe PD refuzuan të votojnë për projektet e PS-së, duke i cilësuar si propagandë elektorale. Megjithatë me një retorikë të ashpër dhe premtime të qarta për reforma ekonomike, Doshi po e pozicionon veten si faktor kyç në formimin e qeverisë së ardhshme.

Doshi akuza Ramës dhe Berishës

Konkretisht kreu i Partisë Social Demokrate (PSD), Tom Doshi teksa po vijon fushatën e tij elektorale, betejën më të madhe e ka në Shkodër. Doshi nga Shkodra ka akuzuar Ramën se gjysmën e kabinetit e ka në burg. Gjatë fjalës së tij, Doshi pati disa kritika për qeverinë për të cilën tha se gjysma e kabinetit të Ramës ndodhet nën hetim ose në burg. “Të vjen zor kur shikon gjysmën e qeverisë në burg dhe nën hetim. Shumë kush thotë pse po e sulmon qeverinë? Ne nuk mund ta marrim në mbrojtje, njerëzit që vjedhin qytetarët, nuk i përkasin Shqipërisë”, deklaroi ai. Ndërkohë, kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, në një takim elektoral në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”  me kandidatët për deputetë në qarkun Shkodër ka sulmuar kryeministrin Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij , Doshi fajësoi Ramën dhe Berishën për gjendjen e vështirë ku ndodhet Shqipëria, teksa hodhi poshtë aludimet për një koalicion me demokratet. “Në 2013, Sali Berisha ka lënë pushtetin si i korruptuar. Edhe sot të vjen zor kur sheh gjysmën e qeverisë në burg dhe nën hetim. Njerëzit që vjedhin qytetarët nuk na përkasin ne. Kryetari i Bashkisë Shkodër që drejton fushatën e PS-së, është i pandehur. Si mund të drejtojë fushatën një njeri që ka vjedhur qytetarët. Kam shumë besim, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë që populli do të na votojë. Jemi e vetmja shpresë. Si mund të shkojmë në Europë kur pensionet tona janë 100 euro?! Si mund të shkojmë në Europë kur ne akoma nuk kemi ndarë tokat?! Ju premtoj shqiptarëve, që pa Partinë Social-Demokrate nuk ka mazhorancë në Shqipëri. Janë përhapur fjalë që Tom Doshi bën koalicion me Sali Berishën… Më parë bën Edi Rama koalicion me Berishën se Tom Doshi. Shkodra fillon me fitoren me tre mandate”, nënvizoi Tom Doshi. Saka theksojmë se socialdemokratët synojnë që në zgjedhjet e 11 majit përveçse të sigurojnë grup Parlamentar deputetësh të jenë edhe forca politike që do vendosë qeverinë e ardhshme.

Çfarë ka ndodhur?

Por këto sulme të Doshit ndaj Ramës vijnë pas përplasjeve të muajt Prill në mbledhjen e këshillit bashkiak të Shkodrës, e cila dështoi të zhvillohej  pasi këshilltarët e PSD dhe PD braktisën sallën duke bërë që të mos arrihet kuorumi i duhur. Pasi u miratuan disa nga pikat e para të rendit të ditës që lidheshin me ndihmën për shtresat sociale, këshilltarja e PSD-së së Tom Doshit, Marin Duhani njoftoi se socialdemokratët nuk do vijojnë më këtë mbledhje. Ata akuzuan se vendimet e tjera bëheshin për fushatë elektorale. Pas një pushimi 5-minutësh të njëjtin vendim morën edhe këshilltarët e PD-së të cilët gjithashtu e lanë sallën.

Të majtët të mbetur pa numra thanë se vendimi për braktisjen e mbledhjes ishte në dëm të qytetarëve. Një prej pikave më të rëndësishme të rendit të ditës ishte dhënia e një sipërfaqeje të madhe në plazhin e Velipojës në administrim të ndërmarrjes “Bio Strajca sh.a” me qëllim që shezllonet në këtë sezon veror t’i vendosë kjo shoqëri aksionere e administruar nga bashkia dhe jo më privatët apo operatorë turistikë siç ka qenë më përpara. Kjo braktisje e mbledhjes së këshillit bashkiak nga PSD-ja është e pazakontë pasi deri tani ata kishin bashkuar votat me PS në çdo vendim. Nga 51 anëtarë që ka Këshilli Bashkiak i Shkodrës, PS ka vetëm 18 anëtarë, 12 i takojnë PSD-së ndërsa pjesa tjetër i përket PD dhe partive tradicionalisht të djathta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here