Parandalohet “Banjska e dytë”, sekuestrohet armatim i lartë në veriun e Kosovës

0
65

Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të madhe armatimesh në veri të Mitrovicës. Policia ka zhvilluar dje një operacion të madh në rrethinën e Zveçanit, në veri të Mitrovicës. Zyrtarët e lartë të policisë kanë bërë të ditur se këto janë planet ogurzeza të Serbisë për të destabilizuar Kosovën, ndërsa kanë dhënë detaje nga operacioni i policisë. Sipas ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla kjo është depoja e pestë brenda vitit që është zbuluar. “Është depoja e pestë që brenda vitit që ne kemi zbuluar dhe është edhe një dëshmi e përfshirjes direkte e shtetit të Serbisë në tendencën për të destabilizuar Kosovën me qëllim okupimin e saj, ose pjesë të saj”, deklaroi Sveçla. Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla njoftoi gjithashtu se ky arsenal është mbetje e armatimit të grupeve terroriste të dirigjuara sipas tij, nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. “Këto janë planet ogurzeza të Serbisë. Ne nuk do të ndalemi për të ofruar siguri qetësi dhe stabilitet qoftë për qytetarët tanë, sovranitet dhe integritet territorial për Kosovën. Patjetër të gjithë ata që janë përfshirë në akte dhune, akte terorrizmi, ata të cilët cenojnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial shkelin ligjin të gjithë do të vihen para drejtësisë dhe do të dënohen bazuar në veprat që i kanë shkaktuar sigurisë së Kosovë”, theksoi Sveçla. Gjatë aksionit në rrethinën e Zveçanit janë gjetur uniforma, antiplumb, eksplozivë, bomba e municione. I së njëjtës linjë ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ku teksa dha detaje mbi operacionin në veri tha se këto armatime janë vendosur nga grupe terroriste me qëllim sulmin ndaj Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here